Shkëlqim në momentin e vërtetë. Lojë e sigurtë, dominuese, sakrifikuese dhe fanatizëm për të mbrojtur denjësisht fanellën ‘kuqezi’ pikërisht përballë rivalit direkt për tituj, Vardarit. Shkëndija fiton 3:0 Vardarin, në një takim që ngjante si trafik njëkahësh, pasi në teren sulmonte vetëm një skuadër. Kundërshtari u gjet në situatë të pazakontë dhe kur ndjeu se me futboll do të dominohet, tentoi në mënyrë ‘dinake’ të hedhë presionin te Shkëndija me provokime të ulta dhe jo sportive. Por dështoi edhe aty, pasi nga minuta e 39-të mbetëm me dy futbollistë më pak në teren, pas kartonave të kuq të Hambarxhumjanit dhe Popovit. Tu kthehemi gjërave të bukura. Me përkrahje të madhe nga tribunat, djelmoshat ‘kuqezi’ nisën me sulme drejt portës kundërshtare duke u kanosur me Alimin dhe dy herë Ibraimin. I pari nuk ishte preciz, ndërsa dy tentimet tjera i kontrolloi Paçovski. Gëzimi i parë erdhi në minutën e 22-të kur Demiri harkon për mrekulli nga e majta, ndërsa në zonë me goditje të bukur me kokë realizon Zhunior për epërsi të Shkëndijës dhe delirium në tribuna. Tre minuta më vonë karton i dytë i verdhë për Hambarxhumjan dhe rivali mbetet me 10-të lojtarë në teren. Vardari u godit dhe Shkëndija mundej të dyfishojë. Fillimisht Paçovski kontrollon tentimin e Alimit, ndërsa pak më vonë predha e Ibraimit ndalet në shtyllë, pasi paraprakisht intervenoi portieri kundërshtar. Në minutën e 39-të tjetër gjest josportiv nga miqtë, kur Popov godet me bëryl Todorovskin dhe arbitri Stavrev i tregon direkt të kuqin. Nga i njëjti aksion pas harkimit të Alimit dhe pastrimit të mysafirëve, Cuculi qetëson topin dhe me një të majtë të fuqishme realizon për 2:0. Epërsi e sigurtë dhe mundësi që në pjesën e dytë të kërkohej të thellohet rezultati. Vardari doli i orientuar tërësisht në mbrojtje dhe që nga minuta e parë e pjesës së dytë zvaritnin lojën duke u shtrirë gjithandej në teren dhe duke bërë që për 45 minuta të luhen ndoshta vetëm 30 futboll aktiv.  Në minutën e 47-të Paçovski shpëton në dy kohë pas goditjes së Ibraimit, ndërsa pak më vonë pas një aksioni të përkryer, Zhunior tenton të parabolojë, mirëpo shpëton mrekullisht Paçovski. Në vazhdim Vardari u tëhoq në pjesën e vet, ndërsa Shkëndija humbi shumë raste për golin e tretë. Paçovski ndali disa tentime të Ibraimit, Kirovski humbi rast të bukur kur u gjet i vetmuar në zonë, ndërsa pesë minuta para fundit Todorovski godet jashta portës. Dhe kur dukej se sfida do të mbyllet me rezultatin e pjesës së parë, Cuculi depërton në të majtë dhe asiston para zonës, ku krijohet rëmujë e madhe, ndërsa Radeski përcjell topin në rrjetë për epërsi të madhe 3:0. Në fund festa ishte për ‘Ballistët’ që përkrahën 90-të minuta ekipin, ndërsa futbollistët me qetësi tani më mendojnë për ndeshjet e rradhës të dielën me Rabotniçkin në kampionat dhe të mërkurën e ardhshme kur në fushë të Vardarit zhvillojnë ndeshjen e kthimit të çerekfinales së Kupës.

 

SHKËNDIJA-VARDARI 3:0 (2:0)

Stadiumi në Çair të Shkupit

Shikues: 3 000

Arbitër: Aleksandar Stavrev

Arbitra ndihmës: Marjan Kirovski dhe Dejan Kostadinov

Delegat: Dushko Mandarovski

Golashënues: Zhunior 22’, Cuculi 41’ dhe Radeski 90’+1’ (Shkëndija)

Kartona të verdhë: Alimi, Kirovski dhe Ibraimi (Shkëndija), ndërsa Hambarxhumjan 2, Felipe, Romero, Bllazhevski, Grnçarov dhe Paçovski (Vardari)

Kartona të kuq: Hambarxhumjan 25 dhe Popov 39’ (Vardari)

SHKËNDIJA: Jovanovski, Bejtullai, Alimi (Kirovski 46’), Cuculi, Demiri (Totre 32’), Zhunior (Radeski 71’), Useini, Ibraimi, Karlinjo, Pollozhani, Todorovski.

Trajner: Shpëtim Duro

VARDARI: Paçovski, Popov, Mijushkoviq, Grnçarov, Bllazhevski, Gligorov (Novak 62’), Stojkov (Brdarovski 29’), Hambarxhumjan, Nikollov, Romero (Lamçevski 44’), Felipe.

Trajner: Goce Sedlovski

Share Now

Related Post

Leave us a reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.