Shkëndija beson në performancë pozitive në Shkup

No image

“Kuqezinjtë” janë gati për sfidën e xhiros së 20-të me Vardarin në Shkup, ku kërkohet të imponohet loja që kërkon trajneri Brdariç për të rëmbyer rezultatin e dëshiruar. “Ballistët” vizitojnë ekipin në stërvitje, duke u dëshiruar sukses kundër Vardarit. Ndeshja luhet në orën 14:00.

Skuadra ka përfunduar përgatitjet për sfidën ditës së dielë me Vardarin në Shkup. Ekipi nisi me sukses gjysmëstinorin pranveror duke fituar Sileksin, ndërsa ai sukses u arkivua dhe vëmendja e punës u kthye kah sfida e të dielës. Stafi teknik ka përgatitur lojtarët për këtë përballje në të cilën njëjtë si në ndeshjet tjera pritet rezultat pozitiv. Futbollistët reflektojnë pozitivitet dhe duken të determinuar për të dhënë më të mirën nga vetja në kërkim të rezultatit të dëshiruar.

Shihni fotogalerinë e plotë

Për dallim nga ndeshja e kaluar në ekip janë rikthyer të lënduarit Alimi, Vujçiç dhe Pollozhani, si dhe i pezulluari Junior, ndërsa për aktivizimin e tyre do të vendosë stafi teknik para fillimit të ndeshjes.

Në seancën e fundit stërvitore para udhëtimit drejt Shkupit, grupi i tifozëve “Ballistët” kanë vizituar ekipin duke manifestuar mbështetjen e parezervë nga ana e tyre.

Ata kanë uruar futbollistët të kenë sukses në përballjen e nesërme dhe u kanë bërë me dije se qëndrojnë fuqishëm pas tyre përkundër faktit se nesër nuk do të jenë të pranishëm në tribunë. Përballja Vardari-Shkëndija luhet të dielën në stadiumin “Telekom Arena” në Shkup me fillim në orën 14:00.