REACTION | Osmani dhe Cuculi: Respekt për Daçia-n, por besojmë në kualifikim

No image

Daçia është skuadër që meriton respekt maksimal, Shkëndija këto duele i shikon me kujdes, por sipas trajnerit Osmani dhe kapitenit Cuculi, “kuqezinjtë” kanë potencial për të eliminuar këtë rival.

Në rast të avansimit në raundin e dytë, kundërshtar i rradhës do të ishte fituesi i duelit ndërmjet Connah’s Quay Nomads nga Uellsi dhe Helsinkit të Finlandës.


Trajneri Qatip Osmani dhe kapiteni Ardian Cuculi kanë folur pas shorit të eliminatoreve të Liga Evropës, që për kundërshtar të parë të “kuqezinjëve” përcaktoi Daçian nga Moldavia. Duke respektuar kundërshtarin Osmani dhe Cuculi besojnë se Shkëndija do të japë më të mirën në kërkim të avansimit në raundin e dytë ku do të përballeshin me fituesin e duelti ndërmjet Connah’s Quay Nomads nga Uellsi dhe Helsinkit të Finlandës.

“E kemi thënë mes veti se shorti është punë fati, por në Liga Evropa mendoj se nuk ka ekip që duhet të nënçmohet. Daçia është ekip për respekt, mirëpo unë mendoj se Shkëndija ka kualitet për të kaluar në raundin e dytë”, u shpreh shkurtë trajneri Qatip Osmani, që nuk preferon të flasë shumë para se të analizojë mirë kundërshtarin.

“Normal se pas shortit dhe asaj që mësuam se kundërshtari ynë i parë në Liga Evropa do të jetë Daçia. Kundërshar aspak i lehtë duke parasysh se Daçia deri xhiron e fundit kryesonte kampionatin në Moldavi dhe në moment të fundit, në ndeshjen e fundit e humbi kampionatin. Jo se frikësohemi, por thjesht respektojmë kundërshtarin dhe do të japim maksimumin për të bërë më të mirën tonë në Liga Evropa. Them që me angazhim maksimal të të gjithëve, Shkëndija nuk duhet të frikësohet nga askush, por thjesht me këmbë në tokë dhe me plotë të shkojmë atje për rezultat pozitiv dhe pastaj në ndeshjen e kthimit të kualifikohemi. Nuk do të jetë e lehtë, në Liga Evropa nuk ka ekipe të dobëta. Thjesht cili ekip bën më pak gabime ai edhe fiton dhe shkon më tutje. Besoj se ne do të jemi ai ekip”, deklaroi mbrojtësi Ardian Cuculi.

Përballja e parë e eliminatoreve të Liga Evropës ndërmjet Daçias dhe Shkëndijës do të luhet më 29 qershor në Kishinev të Moldavisë, ndërsa ndeshja e kthimit pas një jave në Strumicë.