Tre gola për tre pikë. Ibraimi në të parën dhe Abdurahimi e Radeski në pjesën e dytë shënuan golat për fitoren 3:0 kundër Bregallnicës në xhiron e 32-të të LPFM-së.
Shkëndija fiton bindshëm 3:0 Bregallnicën në Tetovë në takimin e dytë që ekipi e luan pa praninë e publikut. Takimi prej fillimit ngjante në trafik njëkahësh, me Shkëndijën që kërkonte epërsi të shpejtë. Abdurahimi solli nxitjet e para pas një depërtimi në minutën e katërt, mirëpo asisti i tij drejt Radeskit u pastrua nga mbrojtësit mysafirë. Ndryshimi erdhi në minutën e 19-të kur Hasani asiston saktë në zonë, ndërsa Ibraimi me kokë realizon për 1:0. Epërsia nuk ndryshoi qasjen në lojë dhe “kuqezinjtë” vazhdimisht ishin të orientuar në sulm. Ibraimi dhe Hasani kishin nga një tentim nga gjuajtja e lirë, para se volei i Ibraimit të shkojë mbi portë. Pjesa e parë u mbyll me epërsi minimale të Shkëndijës, ndërsa miqtë në start të pjesës së dytë kishin kanosjen e parë drejt portës së Zahovit, mirëpo Kocev godet pranë shtyllë. Kjo huqje shpejt u ndëshkua nga Shkëndija që gjeti golin e dytë. Hasani ekzekutoi shpejt një rivënie anësore, Ibraimi vazhdoi bukur për Abdurahimin, me këtë të fundit që pasi i afrohet portës godet mes këmbëve të portierit shënon për 2:0. Në minutën e 72-të aksion i saktë i Shkëndijës, Abdurahimi asiston bukur me thembër për Radeskin, i cili realizon saktë për 3:0. Bregallnica në vazhdim humbi disa mundësi të mira për të shënuar, ndërsa Shkëndija me lojë të bukur me pasime të sakta kërkonte golin e katërt. Hasani kishte dy mundësi, fillimisht godet fortë por mbi portë, ndërsa më vonë nuk arrin të përfundojë në mënyrë atraktive me thembër një aksion të bukur para portës kundërshtare. Dy minuta para fundit Hasani jep top perfekt për Abdurahimin, mirëpo Kobetiq mohon golin e dytë personal për sulmuesin e Shkëndijës. Deri në fund nuk pati ndryshim dhe tre pikët mbetën në Tetovë.
HIGHLIGHTS
SHKËNDIJA-BREGALLNICA 3:0 (1:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: /
Arbitër: Riste Sejmenov
Arbitra anësorë: Ilija Gonev dhe Gjorgi Karajanov
Delegat: Toni Sejmenov
Golashënues: Ibraimi 19′, Abdurahimi 58′, Radeski 72′ (Shkëndija)
Kartona të verdhë: Kostadinov, Kocev (Bregallnica)
Karton i kuq:
SHKËNDIJA: Zahov, Cuculi, Ibraimi (Shefiti 75′), Totre (Zejnullai 62′), Hasani, Radeski, Juffo, Çollak, Todorovski, Vujçiç (Fazllagiç 75′), Abdurahimi.
Trajner: Tomas Brdariç
BREGALLNICA: Kobetiq, Stojanov, Zdravkov, Miovski (Naumov 46′), Kostov, Vuçetiq, Velkovski, Kocev, Dallçevski (Temelkov 62′), Ristovski, Kostadinov (Iliev 73′).
Trajner: Nikolla Kuzmanov