Shkëndija vazhdon me fitore dhe Sileksi është ekipi rradhës që futet në menynë e skuadrave të mposhtura në serinë e ‘kuqezinjëve’ në pranverë. Në takimin e xhiros së 25-të të zhvilluar në Çair, vendimtar ka qenë Besart Ibraimi që realizoi hat-trikun e parë në fanellën ‘kuqezi’, duke ndihmuar ekipin të fitojë 3:1 Sileksin të cilëve në një mënyrë u morën hak edhe për disfatën e pësuar në Kratovë vitin e kaluar. Ndeshja nisi fuqishëm për Shkëndijën që pa veten në epërsi 2:0 pas vetëm 8-të minutave lojë. Fillimisht në minutën e 5-të Besart Ibraimi realizon nga gjuajtja e lirë për gëzim të madh dhe epërsi 1:0. Në minutën e 8-të aksion i bukur i Shkëndijës, Radeski harkon në zonë, ku Zhunior bukur me kokë lëshon topin drejt Ibraimit, ndërsa sulmuesi lëviz bukur dhe me goditje precize shënon për 2:0. Këtu u duk se Shkëndija do të sjellë goleadë dhe do të deklasojë kundërshtarin, mirëpo gjërat rrodhën ndryshe dhe në fund duhej sforco shtesë për të marrë tre pikët. Fillimisht Alimi në minutën e 13-të lëshon goditje të fortë që ndalet në traversë, ndërsa pas ‘kuqezinjtë’ pa nevojë sikur ulën ritmin e lojës. Kjo u hakmor pasi kundërshtari krijoi disa raste shënimi, ndërsa në minutën e 42-të pas një kurthi të pasuksesshëm të pozitës jashtëloje, Nedelkoviq gjendet i vetmuar para Zahovit dhe me goditje precize zbut rezultatin në 2:1. Në pjesën e dytë ishte Shkëndija që kontrollonte lojën, ndërsa Sileksi kërkonte të befasojë. Ritmin e lojës sikur e ndali një incident i panevojshëm në tribuna, që ndërpreu takimin për 8-të minuta. Sileksi u hodh në sulm në kërkim të barazimit, ndërsa Shkëndija në kundërsulme kërkonte të mbyllë fatin e takimit. Arbitrat treguan 11-të minuta kohë shtesë, 8-të nga të cilat shkaku i ndërprerje dhe 3 tjera shtesë. Sileksi nuk arrinte të shkaktojë problem në mbrojtjen mirë të organizuar të Shkëndijës, që në anën tjetër humbën disa mundësi në kundërsulme. Gjithsesi në minutën e 10-të të kohës shtesë sërsisht Ibraimi në aksion, Juffo asiston bukur, ndërsa kërçovari me përfundim të saktë vulos rezultatin përfundimtar Shkëndija 3, Sileksi 1.
Leave us a reply