“Kuqezinjtë” janë ndalur me barazim pa gola përballë Shkupit, në një takim të dominuar për 90-të minuta, me shanse të mira shënimi. Realizimi nuk ishte në nivel dhe në fund ekipi doli vetëm me një pikë nga kjo përballje.
Takimi ishte një monolog i Shkëndijës që sulmonte vazhdimisht prej minutës së parë, ndërsa Shkupi i koncentruar në mbrojtje, me një mesfushë të ngjeshur shansin për atak e priste vetëm në kundërsulm. Medjedoviç dhe Zhunior sollën kanosjet e para, mirëpo në të dyja rastet topi u devijua në rivënie nga këndi. Në minutën e 28-të Shkupi kanoset me Bajramin nga gjuajtja e lirë, mirëpo muri i gjallë devijon topin. Në anën tjetër Junior asiston me harkim para portës, mirëpo tentimi i Hasanit me kokë përplaset në tokë dhe shkon mbi portë. Në minutën e 34 fati ishte me Shkupin kur goditja e Ibraimit ndalet në traversë. Tre minuta para pushimit Hasani provon me kokë, për pak skaj portës. Në fillim të pjesës së dytë disa raste të njëpasnjëshme për “kuqezinjtë”. Pas harkimit nga këndi Zendeli shpëton tentimin me kokë të Cuculit, ndërsa në vazhdim Medjedoviç godet mbi portë. Një minutë më vonë Junior me kokë godet mbi portë, ndërsa në aksionin e radhës Zendeli shpëton pas tentimit të Cuculit me kokë. Në minutën e 58-të pas harkimit nga këndi, Çollak me kokë godet pranë portës. Shkupi provoi sërish me Bajramin nga gjuajtja e lirë, por Jovanovski pret sigurtë. Ibraimi dhe Radeski humbën rastet e rradhës para portës mysafire. Gjashtë minuta para fundit provon Juffo, mirëpo vetëm mbi portë. Deri në fund Shkëndija provoi të gjejë golin, në kohën shtesë luajti me 10-të futbollistë pas lëndimit të Çollakut, por pasi nuk pati ndryshim në fund sluadrat u ndanë me nga një pikë.