Shkëndija ka nisur me lojë bindëse dhe fitore sezonin e ri në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë. ‘Kuqezinjtë’ fituan 3:1 përballë debutuesit në elitën e futbollit vendor, Mlladost Carev Dvor, në një ndeshje të dominuat tërësisht nga ‘vendasit’ e që krijuan numër jashtëzakonisht të madh shansesh për të shënuar, por që mbetën të parealizuara falë mosefikasitetit në sulm, pritjeve të jashtëzakonshme të portierit kundërshtar dhe mungesës së fatit sportiv. Gjithsesi gjërat nuk do të ishin të lehta për Shkëndijën që pa veten në disavantazh që në minutën e 3-të. Cvetanoski shfrytëzon një harkim nga gjuajtja e lirë dhe me gol efektiv i jem Mlladostit epërsi 0:1. Shkëndija nuk u shkund, por u vu në kërkim të barazimit të shpejtë dhe mundësitë për një gjë të tillë ishin të shumta. I riu Radeski mundej të bëhet hero me disa gola të shënuar, mirëpo fakti që për herë të parë luante para në ‘fanellën e rëndë’ të Shkëndijës e bënin të gabonte në momentet vendimtare. Ibraimi, Juffo, Zhunior dhe Hasani gjithashtu humbën mundësi të mira shënimi, ndërsa barazimi do të vinte në minutën e 21-të. Ferhan ‘Buba’ Hasani fitoi vetë një faul para zonës dhe më pas me goditje fantastike shënon gol të bukur për simetri në rezultat dhe gëzim të madh në tribunën e vetme të stadiumit në Çair të Shkupit. Goli i barazimit u dha krah ‘kuqezinjëve’ për të kërkuar epërsinë e cila nuk do të vinte deri në fund të pjesës së parë edhe përkundër disa mundësive të mira të Hasanit, Radeskit, Zhuniorit, Alimit dhe Ibraimit. Trajneri Duro i kënaqur me lojën në pushim kërkoi nga futbollistët të ruajnë qetësinë dhe kjo dha rezultat në pjesën e dytë. Fillimish Ibraimi dhe Vruçina nuk arrijnë të shënojnë nga pozita ideale, para se në minutën e 61 të vinte epërsia. Alimi nis gjithçka me pasim për Zhuniorin, braziliani me finte bukur asiston për Ibraimin ndërsa sulmuesi i Shkëndijës kësaj rradhe me një të majtë precize detyron në kapitulim portierin kundërshtar. Mladost C.D. pa vetën të dorëzuar dhe shpejtë ‘kuqezinjtë’ do të sillnin golin e tretë. Të lodhur nga presioni i vazhdueshëm dhe tempoja e lartë e lojës së vendosur nga futbollistët e Shkëndijës, gabojnë resht dy mbrojtës të Mladostit, ndërsa Vruçina nuk fal të këtilla raste dhe me parabolë dërgon topin në rrjetë për epërsi 3:1. Këtu përfundoi historia e këtij takimi që deri në fund foli vetëm për Shkëndijën, që nuk arriti të sjellë golin e katërt përkundër disa mundësive të mira. Gjithsesi, tre pikët shkojnë në konton e ‘kuqezinjëve’ që startojnë me fitore sezonin e ri garues në Ligën e Parë.
SHKËNDIJA-MLADOST C.D. 3:1 (1:1)
Stadiumi në Çair të Shkupit
Shikues: 4 000
Arbitër: Stevçe Shuleski
Arbitra anësorë: Zharko Todorovski dhe Kiril Nigerieski
Delegat: Koço Zerdeski
Golashënues: Hasani 21’, Ibraimi 61’ dhe Vruçina 69’ (Shkëndija), ndërsa Cvetanoski 3’ (Mlladost C.D.)
Kartona të verdhë: Pollozhani dhe Alimi (Shkëndija), ndërsa Cvetanoski, Konjarski, Ristevski dhe Gjoreski (Mlladost C. D.)
Karton i kuq:
SHKËNDIJA: Jovanovski, Todorovski, Pollozhani, Cuculi, Demiri, Juffo (Kirovski 75’), Alimi, Radeski (Vruçina 64’), Hasani, Zhunior, Ibraimi (Totre 71’).
Trajner: Shpëtim Duro
MLADOST C.D.: Petrovski, N. Veljanoski, Gjoreski, A. Ristevski, Ilijovski, D. Ristevski (Velevski 60’), Kalanoski (Markovski 77’), Konjarski, Cvetanoski, T. Veljanoski, Elmazovski (Sali 69’).
Trajner: Vasko Stojçevski
Leave us a reply