Aganspahiç me një gol në kohën shtesë në fushë të Voska Sport na jep start me fitore të sezonit të ri në Ligën e Parë të futbollit vendor.
VOSKA SPORT-SHKËNDIJA 0:1 (0:0)
Stadiumi “Burimet e Bilijanës” në Ohër
Golashënues: Aganspahiç 90’+1 (Shkëndija)
Arbitër: Igor Stojçevski (Shkup)
Kartona të kuq: Georgiev 76’ (Voska Sport), ndërsa Shala 63’ (Shkëndija)
VOSKA SPORT: Velii (c), Stojçevski, Nikoliq, Georgiev, Marushiq, Gjorgjievski (Adem 46’), Stijepoviq, Sharkoski, Trpeski, Sikiru (Jahiji 78’), Feta.
Trajner: Milan Radoviq
SHKËNDIJA: Taleski, Rexhepi, Cake, Adili, Limani, Ramadani (c) (Maksimov 30’), Çinari, Krasniqi (Dita 90’+2), Shala, Qaka, Elezi (Aganspahiç 75’).
Trajner: Ardian Nuhiu
Kuqezinjtë e nisin mbarë sezonin e ri, duke mundur Voska Sportin me rezultat 1: 0. Dueli i xhiros së parë në sezonin e ri të futbollit vendor solli betejë fortë, me debutuesin në elitë që u tregua skuadër solide dhe refuzuan në dorëzohen para Shkëndijës deri pak para fundit. Aganspahiç ishte heroi i ndeshjes kur realizoi për tre pikë në start të sezonit të ri.
Pa Totren e dëmtuar dhe Ditën në bankinë, mesfusha mbulohej nga Ramadani, Qaka e Krasniqi dhe pavarësisht tendencës së kuqezinjëve për të vendosur autoritet, Voska u mbrojt me sukses në sulmet që organizoi Shkëndija. Në minutën e 30-të mbetëm pa Ramadanin që shkaku i dëmtimit duhej të largohet nga fusha, ndërsa Maksimov hyri në lojë dhe më vonë do të bëhej protagonist me frymëzimin e disa aksioneve.
Pjesa e dytë solli imazhe të njejta, por gjërat u vështirësuan për tanët kur Shala doli me karton të kuq në minutën e 63-të. Portieri Taleski me një super intervenim na mbajti në lojë kur shpëtoi pësimin e golit, derisa numerikisht do të barazoheshim në minutën e 76-të kur Georgiev i Voskës merr kartonin e dytë të verdhë dhe përjashtohet me të kuq. Këtu u krijuan shanse për të sulmuar fitoren dhe Maksimov ishte lojtari që i jepte ton lojës kuqezi, duke qenë organizator i disa aksioneve, derisa pati tre goditje që fatkeqësisht nuk sollën ndryshim. Gjithsesi nga këmbët e Maksimovit nisi edhe aksioni i fitores, kur një diagonale e saktë nga e majta në të djathtë gjeti Adilin, i cili kthen topin ashpër para portës ku Almir Aganspahiç realizon golin e fitores 1:0.