Goli i 19-të sezonal i Besart Ibraimit ka mjaftuar për tre pikë nga përballja me Akademia Pandevin në kuadër të xhiros së 27-të.
- Shkëndija merr fitoren e pestë të njëpasnjëshme në kampionat
- Realizimi i Besart Ibraimit në minutën e 52-të solli tre pikë të reja
- Serafimov i Akad. Pandev doli me karton të kuq në minutën e 54-t
- Kuqezinjtë shkojnë në 13-të pikë diferencë larg vendit të dytë
Vazhdon seria pozitive e kuqezinjëve që marrin fitoren e pestë në pesë duelet e fundit në kampionat, kësaj radhë duke mundur 1:0 Akademia Pandevin në duelin e vlefshëm për xhiron e 27-të. Në një duel të hapur dhe me shanse para dy portave, vendimtar ka qenë realizimi numër 19-të në këtë sezon i Besart Ibraimit, që solli fitoren e 18-të në këtë kampanjë. Ndeshja nisi me një kërcnim shumë serioz të miqve, kur goditja e Feratit u ndal në traversën e Zahovit në minutën e 13-të. Alimi dhe Ibraimi kishin nga një kanosje por pa mundur të gjejnë kuadrati e portës së ish-it të Shkëndijës, Marko Jovanovski. Në minutën e 35-të shkuam pranë epërsisë kur Ibraimi me të majtën mposht portierin mysafir, por topi ndalet në shtyllë, ndërsa në vazhdim të aksionit e djathta e Alimit nuk ishte precize. Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa në fillim të fraksionit të dytë fituam shumë freski në krahë me inkuadrimin e Valmir Nafiut, që menjëherë do të sillte impakt me krijimin e golit të epërsisë. Ishte minuta e 52-të kur Nafiu depërton bukur në të djathtë, ndërsa pasi mbrojtja mysafire nuk pastron si duhet harkimin e tij, Besart Ibraimi nuk fal dhe nga afërsia shënon për 1:0. Katër minuta më vonë i’u afruam golit të dytë me një mundësi e mirë e kuqezinjëve, por bllokohet në disa tentime Ibraimi. Paraprakisht me 10-të lojtarë në fushë mbetën mysafirët kur direkt me karton të kuq u përjashtua Nikolla Serafimov që ndali me faul Qakën në një aksion premtues për gol kur mesfushori dilte i vetmuar para Jovanovskit. Kërkuan mysafirët të përgjigjen me më shumë zëvendësime, por shanset ishin për tanët, kur Ibraimi e Nafiu nuk arritën të shënojnë të dytin. Radeski solli kërcnimin e vetëm më serioz për Akademia Pandevin, kur e majta e tij u devijua në këndore, kurse Alimi në minutën e 86-të dhe Hebaj në kohën shtesë pas harkimit të Valiut nuk arritën të shënojnë. Gjithsesi edhe një gol mjaftoi për tre pikë të reja dhe shkëputje në 13-të pikë nga Shkupi i vendit të dytë, kur kanë mbetur edhe 6-të ndeshje deri në mbyllje të kampionatit.
+3 ✔
Posted by KF Shkëndija on Wednesday, April 14, 2021
SHKËNDIJA-AKADEMIA PANDEV 1:0 (0:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Arbitër: Aleksandar Grujoski (Kërçovë)
Golashënues: Ibraimi 52’ (Shkëndija)
Karton i kuq: Serafimov 54’ (Akademia Pandev)
SHKËNDIJA: Zahov, Paviç, Bejtullai (c), Alimi, Ibraimi (Da Silva 88’), Doriev (Hebaj 59’), Krivak, Dita, Elezi (Nafiu 46’), Neziri, Qaka (Zejnullai 88’).
Trajner: Ernest Gjoka
AKADEMIA P.: Jovanovski, Jovanov, Manev, Iliev (Stoilov 64’), Milovanoviq (Velinovski 64’), Markoski (Radeski 64’), Ferati, Tomovski (Dimovski 73’), Sharkoski (Krstovski 46’), Serafimov, Martinaga.
Trajner: Aleksandar Vasovski