Hebaj, Nafiu dhe Qaka shënojnë golat për fitoren e 19-të sezonale të kuqezinjëve.
• Shkëndija fiton 3:0 Bellasicën në Strumicë në xhiron e 28-të
• Hebaj e Nafiu në pjesën e parë sollën epërsi prej dy golave
• Qaka me golin e parë në karierë vulosi epilogun përfundimtarë
• Të dielën e ardhshme Shkëndija në Tetovë pret Borecin e Velesit
Kuqezinjtë shkojnë vetëm një fitore pranë sigurimit matematikisht të titullit të kampionit për sezonin garues 2020/2021 në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut. Shkëndija fitoi 3:0 transfertën me ekipin e vendit të fundit, Bellasicën në Strumicë duke marrë pikët e planifikuara. Skuadra luajti pa trajnerin kryesorë Ernest Gjoka që ndeshjen e ndoqi nga tribuna shkaku i pezullimit me pesë kartona të verdhë, ndërsa për motive të njejta munguan edhe Besart Ibraimi dhe Dashmir Elezi. Formacionin që nxori në fushë ndihmës trajneri, Fatjon Tafaj që udhëhoqi ekipin në këtë ndeshje, përfshiu Hebajn dhe Da Silvan si titullarë, bashkë me Ramadanin dhe Zejnullain që kishin nisur nga pankina ndeshjet e fundit. Kuqezinjtë që në start nisën të orientuar në sulm dhe Nafiu e Da Silva sollën goditjen e para pa kaluar 8-të minuta lojë, mirëpo në dy rastet sigurtë intervenonte portieri vendas Vuliq. Më vonë Alimi do të godiste mbi portë, ndërsa në minutën e 22-të vendasit sollën sulmin e parë, kur Kallpaçki goditi skaj portës. Ndryshimi erdhi në minutën e 26-të, kur sulmuesi Rubin Hebaj rrëmben një top nga futbollistët kundërshtarë dhe pasi futet në zonë godet saktë për epërsi 1:0 të kuqezinjtëve. Krivak shkoi pranë golit të dytë pas harkimit të Alimit nga këndi, por kontrollon sigurtë Vuliq, ndërsa në anën tjetër Zahov pa vështirësi kontrolloi tentimin e Benjamin Demir-it. Katër minuta para fundit të pjesës së parë, braziliani Da Silva sjell një kundërsulm shumë të mirë, depërton në zonë dhe kthen topin para portës, ku Zejnullai me një prekje drejton topin për Nafiun, ndërsa ky i fundit realizon për 2:0 me golin e 6-të personal në këtë sezon.
Pjesa e dytë solli ndryshim në formacionin kuqezi kur Qaka zuri vendin e Ramadanit, ndërsa kërcënimin e parë e solli Alimi, por kontrolloi në portë Vuliq. Në anën tjetër 16-të vjeçari Guxhufi provon të shënojë, por mbi portë. Nafiu humbi mundësinë e radhës, para se të sillnim golin e tretë në minutën e 52-të. Sulm i Shkëndijës, me Nafiun që shërben drejt Kame Qaka-s, ndërsa mesfushori prodhon goditje mjeshtërore me trinën e jashtme, duke shënuar për 3:0 me golin e tij të parë në karrierë. Deri në fund dy ekipet bënë më shumë zëvendësime, por pa ndryshim në rezultat, ndërsa vlen të përmendet minuta e 76-të kur Shkëndija zhvilloi një aksion model, por goditja e fortë e Dorievit nuk gjeti kuadratin. Në fund 3 pikët shkojnë në konton e Shkëndijës dhe 5 xhiro deri në fund të kampionatit për të siguruar matematikisht titullin na duhet vetëm edhe një fitore.
BELASICA-SHKËNDIJA 0:3 (0:2)
Stadiumi “Mlladost” në Strumicë
Arbitër: Josip Barton (Shkup)
Golashënues: Hebaj 26’, Nafiu 41’ dhe Qaka 52’ (Shkëndija)
BELASICA: Vuliq, Milushev (c), Stojkov (Sulev 26’), Kalpaçki, Mitevski, Avramoviq (Peev 55’), Demir, Mihailov, Bajrami, Guxhufi (Mijatoviq 67’), Kalanoski (Kocev 55’).
Trajner: Andrej Chernishov
SHKËNDIJA: Zahov, Paviç (Merxhani 78’), Bejtullai (c), Murati, Ramadani (Qaka 46’), Alimi (Doriev 69’), Da Silva (Luma 78’), Hebaj, Krivak, Nafiu, Zejnullai (Dita 63’).
Trajner: Fatjon Tafaj