Skuadra e trajnerit Ernest Gjoka merr fitoren e katërt me radhë në kampionat, duke mundur Renovën 3:0 në kuadër të xhiros së 26-të.
• Kuqezinjtë dalin fitues të duelit me Renovën në xhiron e 26-të
• Ibraimi, Da Silva e Elezi sollën golat e fitores në pjesën e dytë
• Në mesjavë Shkëndija në Tetovë përballet me Ak. Pandev
Pas një pjesë të parë pa gola, realizimet e Ibraimit, Da Silva-s dhe Elezit në fraksionin e dytë i japin Shkëndijës fitoren e 17-të sezonale, duke bërë hapin e radhës drejt sigurimit të titullit kampion kur kanë mbetur për tu luajtur edhe 7-të përballje deri në fund të sezonit. Me portierin Zahov të rikthyer në formacion pas pauzës prej dy ndeshjeve, trajneri Gjoka vendosi ekipin si zakonisht me një qasje ofenzive dhe renditja 4-2-3-1 me Ramadanin si numër ‘10’ do t’i jepte liri në qarkullim 20-të vjeçarit dhe pikërisht nga këmbët e tij do të vinte kërcënimi i parë i ndeshjes kur Velii me shumë mund arriti të shpëtojë portën e tij. Në anën tjetër përgjigjet Jasharovski që megjithatë nuk arrin të mposhtë Zahovin, ndërsa pa u mbyllur 8-të minuta lojë dy ekipet kishin edhe nga një tentim jashta kuadratit. Pasoi lojë e qetë deri në minutën e 30-të kur Ibraimi nga gjuajtja e lirë nuk gjen portën. Në anën tjetër Zahov nuk shqetësohet nga tentimi i Shefitit, ndërsa Renova shpëton edhe një herë portën pak para pauzës kur Muharem bllokon goditjen e Dorievit me kokë. Në pauzë shkuam pas një goditje standarde të Alimit që nga gjuajtja e lirë nuk gjeti katërkëndëshin.
Me të nisur pjesa e dytë Shkëndija solli kërcënimin e parë kur harkimi i Muratit nuk shfrytëzohet mirë nga Ramadani dhe Velii arrin të kontrollojë topin me duar. Balanset u prishën në minutën e 51-të kur Alimi harkon saktë nga rivënia këndore, ndërsa në shtyllë të parë Besart Ibraimi reagon me shumë klas dhe me golin e 18-të personal në këtë sezon sjell epërsi 1:0 për kuqezinjtë. Çuditërisht Renova nuk gjeti forcë të kërkojë reagimin pas golit të negativës dhe Shkëndija do të sillte të dytin pasi fillimisht Velii kontrolloi një goditje të Nafiut, mirëpo më vonë ky i fundit shërbeu shumë mirë me top Da Silvan, ndërsa braziliani me qetësi realizoi për 2:0 me golin e parë në fanellën kuqezi.
Da Silva për 2-0 ✌ #RenovaShkëndija
Posted by KF Shkëndija on Sunday, April 11, 2021
Në minutën e 85-të fati ishte me tanët kur tentimi i Jasharovskit me kokë ndalet në traversë, ndërsa pak më vonë i njejti lojtar goditi mbi portë. Në kohën shtesë Shkëndija solli edhe golin e tretë kur Hebaj doli i vetmuar para portës dhe në kushte kur mund të shënonte vetë, ai manifeston jo egoizëm admirues duke pasuar për Elezin, ndërsa 16-të vjeçari nuk e kishte të vështirë të gjejë golin e tij të pestë sezonal për rezultat final, Renova 0, Shkëndija 3.
FT ⏱️ Renova 0 – 3 Shkëndija
⚽ Ibraimi
⚽ Da Silva
⚽ Elezi#RenovaShkëndija
Posted by KF Shkëndija on Sunday, April 11, 2021
RENOVA-SHKËNDIJA 0:3 (0:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Arbitër: Aleksandar Stavrev (Shkup)
Golashënues: Ibraimi 51’, Da Silva 75’ dhe Elezi 90’ (Shkëndija)
RENOVA: Velii, Gavazaj (Stojçevski 83’), Sadiki (c) (Mena 76’), Selmani (Jusufi 29’), Mishkovski, Fetati, Velija, Jasharovski, Muharem (Ramadani 46’), Abdulla.
Trajner: Qatip Osmani
SHKËNDIJA: Zahov, Paviç, Bejtullai (c), Alimi, Ibraimi (Hebaj 73’), Doriev (Da Silva 73’), Murati, Dita (Elezi 80’), Nafiu, Neziri, Ramadani (Zejnullai 61’).
Trajner: Ernest Gjoka