Ibraimi dhe Nafiu shënojnë golat për fitoren e 16-të sezonale të Shkëndijës, duke u shkëputur në krye të renditjes me 10-të pikë më shumë se vendi i dytë.
- Shkëndija fiton 2:1 duelin e xhiros së 25-të me Sileksin
- Nafiu dhe Ibraimi shënuan golat për fitore dhe 3 pikë
- Gorgiev shënoi golin për Sileksin nga pozita e dyshimtë
- Kuqezinjtë xhiron e ardhshme janë “mysafirë” të Renovës
Shkëndija vazhdon hapërimin e sigurtë drejt titullit kampion, pasi sot shënoi fitoren e rradhës duke mundur me shifrat 2:1 Sileksin në duelin e xhiros së 25-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut. Pa portierin Zahov që ankohet në lëndim të lehtë dhe mbrojtësin Krivak që tashmë tre muaj është jashta tërreneve, trajneri Gjoka nisi lojën në portë me Ramanin, ndërsa u kthyen titullarë Elezi dhe Nafiu, si dhe Alimi që ndeshjen e fundit me Vardarin mungoi për shkak të pezullimit me kartona të verdhë.
Kuqezinjtë nisën fuqishëm dhe në minutën e 8-të vetëm fati sportiv shpëtoi Sileksin kur në një aksion u krijua rëmujë e madhe para portës mysafire, ndërsa tre tentime të tanëve u bllokuan në moment të fundit. Në minutën e 23-të Alimi shërbeu mirë me top Ditën, por e majta e mesufshorit u ndal në pjesën e jashtme të rrjetës, ndërsa pak më vonë vetë e djathta e numrit “5” nuk gjeti kuadratin. Mysafirët ishin tërhequr në mbrojtje dhe në kundërsulm kërkonin rastin e tyre, kështu që goditjen e parë drejt portës e kishin 6-të minuta para pauzës, por Ramani nuk u kërcnua fare nga e djathta e Bllagojeviqit.
Fraksioni i dytë nisi me sulme të shtuara të kuqezinjëve që tashmë në fushë kishin edhe Dorievin që zuri vendin e Elezit. Vetëm pas tre minutave vjen kërcnimi i parë kur e djathta e Alimit devijohet në këmbët e mbrojtësve mysafir dhe portierin Bozhinovski që largon topin në këndore. Në anën tjetër mundësi shumë e mirë për Tanturovskin, që nuk reagon si duhet dhe topi shkon skaj shtyllës. Ibraimi dhe Bejtullai kishin tentativat e rradhës, por pa ndryshim, ndërsa të njejtin epilog patën edhe goditjet e Qakës dhe Ibraimit në minutat në vazhdim.
Nafiuuu për 1-0 💪
#ShkëndijaSileksPosted by KF Shkëndija on Sunday, April 4, 2021
Por presioni i Shkëndijës nuk kishte si mos të jepte rezultat dhe ndryshimi do të vinte në minutën e 63-të kur Bruno Dita asiston mirë në zonë për Valmir Nafiun, i cili me një të djathtë precize sjell epërsi për kuqezinjtë. 1:0 dhe tashmë Sileksi nuk kishte se çka të mbronte dhe kishin një dalje të rrezikshme përpara, kur goditja e Tanturovskit bllokohet në kohë dhe shkon pak mbi traversë. Shkëndija sikur vendosi kontroll të lojës, por do të goditej në moment shumë të papërshtatshëm, kur arbitri anësorë nuk vlerëson si duhet pozicionin jashtë loje të Gorgievit, i cili nuk ‘refuzon’ dhuratën dhe me një të majtë të saktë barazon shifrat në 1:1. Barazimi ishte i papranueshëm për tanët që me ngulm kërkonin golin e dytë dhe të fitores. Në minutën e 83-të, pas një aksioni të mirë goditja e Muratit bllokohet para vijës fatale, derisa në vazhdim topi largohet në këndore. Presioni vazhdoi edhe në minuatat në vazhdim dhe shpërblimi erdhi në minutën e 85-të kur Paviç harkon në zonë, ndërsa Besart Ibraimi me golin e tij të 17-të personal sjell fitoren 2:1 dhe tre pikë të reja për kuqezinjtë.
FT ⏱️ Ibraimi në minutën e 86' për tre pikë të reja 💪
#ShkëndijaSileksPosted by KF Shkëndija on Sunday, April 4, 2021
SHKËNDIJA – SILEKSI 2:1 (0:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Arbitër: Konstantin Vllaho (Shkup)
Golashënues: Nafiu 63’ dhe Ibraimi 85’ (Shkëndija), ndërsa Gorgiev 70’ (Sileksi)
SHKËNDIJA: Ramani, Paviç, Bejtullai (c), Alimi, Ibraimi (Zejnullai 86’), Elezi (Doriev 46’), Murati, Dita, Nafiu (Da Silva 77’), Neziri, Qaka (Hebaj 64’).
Trajner: Ernest Gjoka
SILEKSI: Bozhinovski, Manasievski, Bllagojeviq, Karakamishiev, Ivanovski (Gjorgjeviq 64’), Ignatov (Neshovski 20’), Gllaveski (Gorgiev 64’), Serafimovski, Mustafov, Karçeski, Tanturovski.
Trajner: Goran Simov