Shkëndija ka siguruar matematikisht titullin e kampionit katër xhiro para fundit, pasi fitorja e sotme ndaj Borecit bën të paaritshme diferencën ndaj vendit të dytë.
• Kuqezinjtë për herë të katërt në histori fitojnë titullin kampion
• Në xhiron e 29-të në Tetovë mundet Boreci i Velesit me shifrat 3:1
• Boreci shënoi me Talakovin, por Shkëndija solli 3 gola në vazhdim
• Përmbysjen në pjesën e dytë e sollën Murati, Ibraimi dhe Hebaj
Shkëndija është kampione e sezonit garues 2020/2021 në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut, pasi kuqezinjtë me fitoren 3:1 ndaj Borecit katër xhiro para fundit kanë 15-të pikë të paaritshme për Shkupin e vendit të dytë. Titulli i katërt në historinë e Shkëndijës vjen në mënyrë bindëse dhe pas një dominimi konstant të Shkëndijës, që kësaj rradhe ndryshe nga e kaluara len pas vetes Shkupin që ishte konkurenti kryeso për trofeun. Xhiroja e 29-të që do të mbyllte matematikisht garën për titullin e kampionit, nuk kaloi pa drithërima, pasi Boreci avansoi pas pjesës së parë, mirëpo në të dytën mjaftuan 7-të minuta të furishme të kuqezinjëve që brenda këtij harku kohor shënojnë 3 gol për fitore të 20-të sezonale dhe mbyllje të llogarive të këtij sezoni.
Boreci avansoi në mundësinë e parë më serioze kur e majta e Talakovit devijohet nga mbrojtja dhe ndalet pas shpinës së Zahovit. Epërsi për Borecin që megjithë dominimin e Shkëndijës në vazhdim, arritën ta ruajnë dhe në pauzë të shkonin me rezultatin 0:1.
Pjesa e dytë solli një Shkëndijë të determinuar për të përmbysur gjithçka, pasi “Ballistët” ishin përgatitur për festë dhe brohoritjet e tifozëve prej jashta stadiumit preknin veshin e futbollistëve. Tre kanosje me Ibraimin dhe Bruno Ditën paralajmëruan barazimin, që do të vinte në minutën e 62-të me autor Mevlan Muratin që me një të djathtë precize shënon për 1:1. Vetëm tre minuta më vonë asist i bukur i Alimit, ndërsa Ibraimi me golin e 20-të personal sjell përmbysjen dhe epërsi 2:1 për Shkëndijën. Kuqezinjtë nuk u ndalën këtu, pak më vonë me asist të Ibraimit, shënon Hebaj por goli anulohet për pozitë jashtë loje. Gjithsesi festa e sulmuesit shkodran ishte shtyrë vetëm për dy minuta, pasi në të 69-të pas një harkimi nga këndi, Neziri kthen topin me kokë para portës, ku Rubin Hebaj gjen golin e tretë sezonal dhe të tretin për Shkëndijën në këtë ndeshje, duke mbyllur llogritë e takimit që fitohet nga kyqezinjtë me shifrat 3:1.
SHKËNDIJA-BOREC 3:1 (0:1)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Arbitër: Kontantin Vllaho (Shkup)
Golashënues: Murati 62’, Ibraimi 65’ dhe Hebaj 69’ (Shkëndija), ndërsa Talakov 13’ (Boreci)
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai (c), Ibraimi (Elezi 75’), Doriev (Zejnullai 75’), Murati, Dita, Merxhani, Nafiu (Da Silva 72’), Neziri, Ramadani (Alimi 46’), Qaka (Hebaj 59’).
Trajner: Ernest Gjoka
BOREC: Gjorgiovski, Eftimov (I. Ristevski 90’+2), Shikov (c), Talakov (Mirçevski 90’+2), Mishov (Adili 69’), Trajkovski (Ibrahimoviq 69’), Mishevski, Dos Santosh (Ivanov 82’), Gavriq, Kocev, Osmanovski.
Trajner: Borçe Hristov