“Kuqezinjtë” shënojnë fitore të thelle 5:1 përballë Makedonija Gj.P. në Tetovë. Medjedoviç shënoi hat-trik, ndërsa dy gola shtoi Ibraimi. Miqtë shënuan golin e nderit me anë të Ivanoskit. Pas pauzës së gjatë për shkak të lëndimit rikthehet të luajë Shqiprim Taipi.
Shkëndija vazhdon me fitore në kampionat, pasi mund bindshëm 5:1 Makedonija Gj.P. në takimin e vlefshëm për xhiron e 24-t në LPFM. “Kuqezinjtë” dominuan takimin, duke u dhënë shans për të luajtur disa futbollistëve të rinjë si Zejnullai, Asani dhe Taipi, ndërsa në pankinë mbeti kapiteni Hasani. Kansoja e parë erdhi në minutën e 6-të me Ibraimin që tenton nga gjuajtja e lirë nga distanca, mirëpo topi shkoi vetëm skaj portës. Ky ishte vetëm paralajmërim i zhbllokimit të rezultatit kur në minutëm e 9-të Abdurahimi bukur shërben për Alimin në zonë, ndërsa ky me kokë lehtë kthen topin para portës ku Medjedoviç realizon për 1:0. Shkëndija vazhdoi të dominojë dhe pa kaluar gjysmë ore lojë Besart Ibraimi shënon dy gola në afat kohor prej 2 minutave. Fillimisht në minutën e 28-të dyfishon rezultatin nga penaltia pasi paraprakisht ndalet vetë me faul në zonë, ndërsa dy minuta më vonë pas aksionit të mirë të Zejnullait dhe Alimit, Ibraimi del i vetmuar dhe arrin të shënojë për 3:0. Tre minuta para fundit të pjesës së parë Ibraimi tërheq kundësulm dhe asiston saktë për Medjedoviçin, që përcjell topin në rrjetë për rezultat 4:0. Pjesa e dytë nisi ashtu si u mbyll e para, me shanse dhe gol për Shkëndijën. Pas një harkimi në zonë topi arrin te Medjedoviç që realizon golin e tretë personal dhe të pestin për “kuqezinjtë”. I kënaqur me epërsinë e lartë trajneri Brdariç largoi nga loja Ibraimin dhe Vujçiçin, duke inkuadruar të rinjtë Shpend Asanin dhe Shqiprim Taipin, me këtë të fundit që kthehet pas pauzës së gjatë si pasojë e lëndimit. Pa u bërë një orë lojë miqtë më në fund hidhen në sulm dhe Jane Ivanoski sjell goditje të bukur që ndalet në rjetë për rezultat 5:1. Kështu Shkëndija merr tre pikë të reja, duke regjistruar fitoren e 15-të sezonale.