-
H 1:0
- |||, 2019/20, Kupa e Maqedonisë
- 2019-10-30 13:30
- Tetovë
Një gol i Agim Ibraimit na jep fitore 1:0 dhe kualifikim në çerekfinale të Kupës me rezultat të përgjithshëm 3:2, pas barazimit 2:2 në ndeshjen e parë në Shkup.
- Shkëndija fiton 1:0 Vardarin në takimin e kthimit të 1/8 së finales
- Agim Ibraimi realizon golin e vetëm dhe të fitores në minutën e 74-t
- Rezultati në dy ndeshje del 3:2, pas barazimi 2:2 në ndeshjen e parë
- Kuqezinjtë eliminojnë rivalin nga Kupa për herë të katërt me rradhë
- Shkëndija nuk njeh humbjen në 11-të duelet e fundit me Vardarin
Shkëndija kalon në çerekfinale të Kupës së vendit, pasi në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales eliminoi Vardarin me rezultat të përgjithëm 3:2. Me barazimin 2:2 në ndeshjen e parë në Shkup kuqezinjëve tanë u mjaftonte edhe barazimi pa gola, mirëpo djemtë e trajnerit Gjoka shfaqën luftë për 90-të minuta lojë, duke u dhuruar “Ballistëve’ të rikthyer në tribunën “Marshin Beqiri” fitore 1:0 me golin e Agim Ibraimit.
Në formacionin startues Shkëndija kishte hendikep mungesën e Egzon Bejtullait të lënduar, vendin e të cilit e zuri Neziri, ndërsa për dallim nga takimi i fundit me Makedonija Gj.P. titullar u kthyen Agim Ibraimi dhe Omar Imeri, në llogari të Juniorit e Radeskit që qëndruan në pankinë.
Kanosjen e parë e solli i riu Zejnullai në minutën e tretë, ndërsa i njejti lojtar në të 17-ën asistoi drejt B. Ibraimit, por kapiteni nuk koordinohet si duhet dhe humb mundësinë e shënimit. Në anën tjetër Avramovski kërkoi golin kur e majta e tij nuk gjeti kuadrantin e Zahovit, me portierin e Shkëndijës që pak minuta më vonë kishte një dalje të saktë duke pastruar rrezikun. Mundësia e fundit në pjesën e parë ishte për Shkëndijën, por goditja standarde e Alimit nuk rrezikon Gaçevskin.
Shkëndija vazhdoi me sulme edhe në të dytën dhe pa kaluar 10-të minuta të plota Agim Ibraimi sjell një të majtë fantastike që ndalet mrekullisht nga portieri kundërshtar, Gaçevski. Vardari mori zemër nga pritjet e portierit të tyre duke dalë para me dy kundërsulme të rrezikshme nga mbrojtësi i majtë Junior, por me intervenime bravuroze përgjigjet Zahov që mban rezultatin të nivelizuar. Shpejt loja u hodh sërish në pjesën e shkupjanëve, me Gaçevskin që prodhon tjetër pritje të suksesshme pas bombës së Husmanit. Shkëndija rriti presionin dhe shkoi shumë pranë golit me A. Ibraimin, Çeshmexhiev dhe Imerin, por tentimet e dy të parëve bllokohen nga mbrojtësit, ndërsa të fundit i mohon golin Gaçevski. Por fati nuk mund të qëndronte deri në pafundësi me kundërshtarin dhe në minutën e 74-t tribunat e stadiumit shpërthejnë në festë kur Besart Ibraimi harkon para portës, ndërsa Agim Ibraimi realizon për epërsi 1:0. Këtu mori fund çështja e kualifikimit, por kuqezinjtë vazhduan sulmet dhe gjetën edhe golin e dytë me A. Ibraimin, por i njejti anulohet për faul në sulm.
Në fund festa ishte për Shkëndijën që vazhdon serinë pozitive me Vardarin dhe eliminon rivalin e madh nga Kupa për të katërtin vit me rradhë.
SHKËNDIJA-VARDARI 1:0 (0:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 4 000
Arbitër: Marjan Eckoski
Golashënues: A. Ibraimi 74′ (Shkëndija)
SHKËNDIJA: Zahov, Murati, Çeshmexhiev, Neziri, Mici, Husmani, Zejnullai (Junior 63′), Alimi, A. Ibraimi (Totre 83′), Imeri (Radeski 90’), B. Ibraimi (c).
Trajner: Ernest Gjoka
VARDARI: Gaçevski (c), Toshevski, Najdovski, Junior, Micevski, Avramovski, Cvetanovski (Kolevski 72′), Novak, Popzllatanov (Ignatov 84′), Adem (Dimoski 77′), Brdarovski.
Trajner: Aleksandar Vasovski