Armend Alimi me hat trikun e parë në karierë dhe një realizim i Besart Ibraimit ishin vendimtar në fitoren 4:0 të Shkëndijës kundër Borecit të dielën në Tetovë.
• Koleksionojmë fitoren e 5-të sezonale dhe ngjitemi në vend të tretë
• Xhiroja e 13-të solli triumf 4:0 përballë Borecit të Velesit në Tetovë
• Shkëlqen Armend Alimi që gjenë hat-trikun e parë në karrierën e tij
• Rikthehet të shënojë Besart Ibraimi që shënoi golin e dytë të ndeshjes
• Kuqezinjtë tashmë katër ndeshje të njëpasnjëshme nuk pranojnë gol
Shkëndija mund Borecin 4:0 në duelin e xhiros së 13-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut, duke koleksionuar fitoren e pestë në kampionat. Shkëlqen Armend Alimi që regjstron hat-trikun e parë në karrierë, ndërsa pas disa ndeshjeve pauzë rikthehet në listën e golashënuesve Besart Ibraimi.
Me motive të shtuara pasi eliminuam në mesjavë Vardarin nga Kupa e vendit, djemtë e trajnerit Gjoka prej fillimi nisën në kërkim të golit të epërsisë dhe minuta e 12-të kur e djathta e Alimit ndalet në traun e portës ishte paralajmërim se kjo do të ishte një ndeshje shumë pozitive për kumanovarin. Shkëndija vazhdonte kërkimin e epërsisë dhe kanosjen e rradhës e solli Besart Ibraimi e majta e të cilit largohet në këndore. Në anën tjetër nuk tregohen naivë mysafirët që për pak nuk panë veten në avantazh, por u desh një super intervenim i Radeskit në mbrojtje për të bllokuar një situatë të pastërt të Borecit. Shkëndija mori seriozisht paralajmërimin dhe e karkikuar vazhdoi të sulmojë duke kërkuar fillimisht golin me Muratin, tentimi i të cilit kontrollohet në dy kohë nga portieri Mustafa që më vonë brenda 7-të minutave do të pranonte tre gola. Mustafa nuk do të mund të bënte asgjë më shumë në minutën e 23-të kur pas një aksioni të kuqezinjëve topi përcillet te Alimi e djathta e të cilit ndalet në rrjetë për epërsi 1:0. Mysafirët pa marrë vete nga goli i parë, pranuan të dytin kur pa kaluar 60-të sekonda Besart Ibraimi krijon hapsirë dhe e djathta e tij e devijuar përfundon në rrjetë për 2:0. Shkëndija nuk u ndal dhe në minutën e 30-të erdhi goli i tretë kur Mustafa ndal tentimin e B. Ibraimit, ndërsa topin e dëbuar pa problem Alimi e përcjell në rrjetë për rezultat final të pjesës së parë Shkëndija 3, Boreci 0.
Kuqezinjtë vazhduan me tempo të njejtë edhe në të dytën, duke u kanosur disa herë me B. Ibraimin, Alimin, Totren e A. Ibraimin, por për golin e katërt do të pritej deri në minutën e 65-të kur Armend Alimi kompleton hat-trikun e tij të parë në karrierë për rezultat 4:0.
Këtu tashmë ishte mbyllur historia e kësaj sfide edhe pse deri në fund pamë disa mundësi të mira për gol. Fazli që regjistroi paraqitjen e parë pas rikthimit në Shkëndijë shkoi pranë golit në minutën e 71, por tentimi i tij me kokë nuk gjeti kuadrantin. Alimi e Junior humbën nga një mundësi për të shënuar, para se miqtë të merrnin pak zemër për të sulmuar dhe u kanosen në tre raste me Abaz e Peev, por dy herë shkëlqyeshëm intervenon Zahov, ndërsa një tentim i mysafirëve shkoi mbi portë. Shtatë minuta para fundit një kundërsulm i Agim Ibraimit nxori në shans goli Shefitin, mirëpo goditjen e tij e ndal portieri kundërshtarë, Mustafa. Shkëndija kështu merr fitoren e pestë sezonale dhe tashmë me 18-të pikë ndanë pozitën e tretë në renditje.
SHKËNDIJA-BORECI 4:0 (3:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 1 000
Arbitër: Marjan Mlladenovski
Golashënues: A. Alimi 23′, 30′ dhe 65′, B. Ibraimi 24′ (Shkëndija)
SHKËNDIJA: Zahov, Murati, Çeshmexhiev, Neziri, Mici, Alimi, A. Ibraimi, Totre, Imeri (Shefiti 76′), Radeski (Junior 54′), B. Ibraimi (c) (Fazli 67′).
Trajner: Ernest Gjoka
BORECI: Mustafa, Peev, Stojkovski (c), Trajanovski (Abaz 68′), Gjorgjiev (Llazareviq 87′), Kocev, Prelçec, Nikollovski (Trajkov 75′), Eftimov, Gavriq, Ristovski.
Trajner: Gorazd Mihajlov