Derbi i Tetovës i takon Shkëndijës që fiton Renovën 2:0 në kuadër të xhiros së 8-të në LPFM. Ibraimi dhe Hasani realizuan që në pjesën e parë, për të administruar në vazhdim lojën drejt fitores së 7-të sezonale me të cilën ruhet kreu i renditjes tabelare.
Shkëndija lehtë dhe herët zhbllokoi rezultatin kur pas një aksioni të Juniorit në të djathtë, topi arrin te Emini që lëviz bukur në zonë dhe asiston për Ibraimin me kërçovarin që se pati të vështirë të shtyjë topin në rrjetën kundërshtare për epërsi 1:0. Dy minuta më vonë Emini tenton portën por vetëm skaj shtyllës. Në të 13-ën mundësi për kundërshtarin kur Nafiu del i vetmuar para portës, mirëpo pret sigurtë Zahov. Pasoi lojë më e qetë kur “kuqezinjtë” më shumë administronin lojën, ndërsa Renova nuk gjente mundësi për të rezikuar. Qetësinë do ta thynte një asist i Juniorit që nxjer të vetmuar para portës Alimin, ndërsa topi i dëbuar nga portieri Kobetiç shkon në kokën e Hasanit që realizon për 2:0, për tu barazuar me Ibraimin me nga 5 gola në kreun e listës së golashënuesve në LPFM. Në vazhdim dy ekipet kishin nga një kanosje me goditjet e Veliut që shkoi skaj portës, ndërsa predha e Ibraimit u ndal në shtyllë. Nxitjet e para në pjesën e dytë si solli Ibraimi kur fillimisht e majta e tij shkon mbi portë, ndërsa pak më vonë merr asist të saktë nga Junior, mirëpo tentimi me kokë i ndalet nga Kobetiç, me Hasanin që në vazhdim u gjet në pozitë jashtë loje. Në minutën e 62-të mundësi e pastërt për Ramadanin që godet mbi traversë në situatë ballore me portierin Zahov. Pak më vonë gardiani i Shkëndijës fitoi edhe një duel me sulmuesin kundërshtar Ramadani, duke i mohuar golin kur sërish u gjetën sy më sy. Në minutën e 64-t Kobetiç shkurton gëzimin e Hasanit kur ndal goditjen e kapitenit “kuqezi” pas një aksoni të bukur. I sapoinkuadruar në lojë Abdurahimi frymëzon një aksion individual ndërsa me asist perfekt nxjer para portës Radeskin, mirëpo shpëton Kobetiç. Deri në fund Shkëndija administroi me sukses lojën drejt fitores së 7-të sezonale me të cilën ruhet kreu i renditjes tabelare.
SHKËNDIJA-RENOVA 2:0 (2:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 2 500
Arbitër: Igor Stojçevski
Arbitra anësorë: Sashe Toshevski dhe Daniel Vasilevski
Delegat: Zoran Mitkoviq
Golashënues: Ibraimi 6′, Hasani 35′, (Shkëndija)
Karton i verdhë: Meireles (Renova)
Karton i kuq: /
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai, Alimi, Cuculi, Ibraimi (Cilafi 90’+), Totre, Hasani, Murati, Junior (Radeski 65′), Emini (Abdurahimi 75′) , Todorovski.
Trajner: Qatip Osmani
RENOVA: Kobetiç, Kostov, Neziri, Nuhi (Meireles 59′), Ramadani, Gafuri, Iljazi, Mishkovski, Temelkov, Nafiu (Fetai 73′).
Trajner: Vllatko Kostov