Xhiroja e 18-të: Shkëndija-Pelisteri

No image

Kuqezinjtë të dielën nga ora 13:00 në Tetovë presin skuadrën nga Manastiri në takimin e fundit për vitin 2017. Futbollistët pretendojnë fitore për mbyllje triumfale të gjysmësezonit vjeshtor ku skuadra dominoi dhe me meritë mban vendin e parë. 

Shkëndija si lidere e renditjes përballet me Pelisterin e vendit të parafundit (pozita e 9-të) në duelin e xhiros së 18-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë me çka përfundon aktivitetet garuese për vitin 2017. Kuqezinjtë pas rënies së shkurtër të formës në muajn tetor kanë rigjetur ritmin dhe janë në seri prej 5 fitoreve të njëpasnjëshme. Përballë Pelisterit kërkohet vazhdimësi për të mbyllur pjesën e parë të sezonit me tre pikë dhe distancë të konsiderueshme para ndjekësve të pozitës së parë. Mbrojtësi Ardian Cuculi beson se skuadra do të jetë në nivelin e saj dhe në pauzë do të shkojë me tre pikë.

Shkëndija ka bilans shumë pozitiv në përballjet me Pelisterin, pasi në 10-të ballafaqimet e fundit në kampionat numëron 8-të fitore dhe vetëm dy barazime pa gola, të dyja rastet në Manastir. Nëse heqim finalen e fundit të Kupës kur kundërshtari fitoi pas ekzekutimit të penaltive, fitoren e fundit dhe të vetmen prej kur Ecolog ka hyrë në Shkëndijë skuadra e Pelisterit e ka shënuar në vitin 2013 në Manastir. Përballja e parë e këtij sezoni u fitua 1:3 nga Shkëndija dhe kuqezinjtë tani kërkojnë triumfim e rradhës. Stafi teknik ka në disponim gjithë futbollistët dhe para ndeshjes do të vendosë për formacionin që do të zbresë në fushë.

Përballja Shkëndija-Pelisteri luhet të dielën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim më orën 13:00

Golat nga fitorja 5-0 përballë Pelisterit në vitin 2014