Xhiroja 29: Shkëndija vs Shkupi

No image

Kuqezinjtë kërkojnë fitore përballë Shkupit për të festuar titullin e kampionit edhe pse Shkëndijës i mjafton vetëm një pikë për të siguruar matematikisht vendin e parë. Të dielën nga ora 16:00 stadiumi i qytetit në Tetovë duhet të përfshihet në festë.

Me një pikë pranë titullit të kampionit, kuqezinjtë pretendojnë që ta kthejnë në festë ndeshjen me Shkupin e velfshme më për xhiron e 29-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë. Atmosfera dhe disponimi në mesin e futbollistëve është në nivelin më të lartë të mundshëm, pasi sezoni i shkëlqyeshëm ka çuar ekipin në prag të materializimit të sukseseve me tituj.
Shkëndija është në ecuri pozitive pasi në kampionat në 10 ndeshje në pranverë numëron 8 fitore dhe 2 barazime, me dy triumfet e fundit si mysafire 0:6 në Manastir ndaj Pelisterit dhe të mërkurën 2:3 në fushë të Vardarit. Në anën tjetër Shkupi vjen në këtë sfidë nga një situatë shumë interesante, pasi duke parë pozitën dhe numrin e pikëve gjenden në mes Europës dhe mbijetesës. Shkupjanët në pranverë hynë në krizë rezultatesh, mirëpo dy javët e fundit duket se gjejnë formën e duhur pasi barazuan 1:1 si mysafirë të Vardarit, ndërsa mundën 2:1 Akademia Pandevin në Turnovë. Shkëndija nuk mundet në 11-të përballjet e fundit me Shkupin, prej të cilave 9-të në kampionat dhe 2 në Kupën e Maqedonisë. Këtë sezon në tre përballjet paraprake Shkëndija ka efekt 100% duke shënuar tre fitore me goldiferencë 10:1 (dy herë 0:3 në transfertë dhe 4:1 në Tetovë). Pas triumfit ndaj Vardarit kur Shkëndija u afrua fare pranë titullit, ekipi ka ulur euforinë dhe me profesionalizëm shikon ndeshjet e rradhës. Për duelin me Shkupin është punuar dy ditët e fundit, ndërsa nuk ka asnjë mungesë dhe stafi teknik para ndeshjes do të vendosë për formacionin startues.

Shkëndija-Shkupi luhet të dielën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 16:00.