Vazhdon dominimi kuqezi, kampion edhe Shkëndija U17

No image

Vitrinat e KF Shkëndija pasurohen edhe me një trofe pasi ekipi U17 i drejtuar nga Burhan Emrullai siguroi titullin e kampionit në kategorinë e vet.

Shkëndija U17 feston titullin e kampionit në Super Ligën e Maqedonisë për pionierë. Shpresat kuqezi dominuan gjithë kampionatin, por titullin e siguruan vetëm xhiron e fundit kur mundën bindshëm 5:2 Pobedën e Prilepit. Edhe pse të vetëdishëm se një pikë do tu mjaftonte për të siguruar titullin, djelmoshat e trajnerit Burhan Emrullait në kokë kishin vetëm fitoren me të cilën do të dëshmonin se jo rastësisht dominuan kampionatin. Rezultati u zhbllokua në minutën e 20-të kur Ramin Alii realizoi për 1:0, ndërsa Abdylvahit Ajdini në të 32-ën fiksoi rezultatin e pjesës së parë 2:0. Me të filluar fraksioni i dytë Mirlind Dauti (48′) shënoi për 3:0. Miqtë tentuan të kthehen në lojë kur Asan Seferovski në minutën e 53-të shënoi për 3:1, mirëpo kuqezinjtë dy minuta më vonë përgjigjen me tjetër gol për 4:1 me anë të Ardit Imerit. Në minutën e 70-të Agon Elmazi sjell golin e pestë kur ishte i saktë nga penaltia, ndërsa shifrat finale 5:2 i vendosi Bojan Miceski në minutën e 73-të.
Pas 27 xhirove të zhvilluara Shkëndija U17 regjistroi 20 fitore, 3 barazime dhe 4 disfata, duke grumbulluar 63 pikë. Sulmi kuqezi ishte më efikasi në këtë kategori duke shënuar 75 gola, krahas 26 të pranuar. Kuqezinjtë fituan betejën me Makedonija Gj.P. që ishte konkurent deri në xhiron e fundit, mirëpo krahas triumfit të tanëve shkupjanët humbën duelin e fundit dhe mbetën në kuotën e 59 pikëve. Futbollisti më efikas te kuqezinjtë rezultoi Abdylvahit Ajdini me 18 gola të shënuar.


Përfundimi i ndeshjes solli gëzim të madh dhe festë në taborin e shpresave kuqezi që mbyllën në mënyrën më të mirë të mundshme kampionatin, duke ngritur lart trofeun për titullin e kampionit.