Stojanovski: Së shpejti shohim Shkëndijën e vërtetë

No image

Me trajnerin Qatip Osmani duket se gjejmë formën optimale dhe me këtë besoj që edhe më plan individual të jem më lartë. Shkëndijën e vërtetë do ta shohim në vazhdim të kampionatit”, tha mes tjerash sulmuesi kuqezi, Vllatko Stojanovski.

Shkëndija pas pauzës ka performuar në nivel të lartë duke regjistruar dy fitore bindëse me gol diferencë 8:1. Pasi të dielën në kampionat fituam 3:1 Pobedën në Prilep, në mesjavë kuqezinjtë deklasuan 5:0 Skopjen në 1/8 e finales së Kupës. Pikërisht në duelin e të mërkurës, golin e parë në një ndeshje zyrtare me Shkëndijën e ka gjetur sulmuesi Vllatko Stojanovski që shënoi nga penaltia golin e dytë të ndeshjes.

Më vjen mirë që më në fund kam mundur të shënoj. Realisht edhe unë s’jam i kënaqur me veten sa i përket realizimit, mirëpo gjithë kohën kam punuar shumë dhe mendoj se edhe fati sikur më kishte kthyer shpinën. Gjithsesi, në rradhë të parë mbetet suksesi i ekipit dhe më shumë se vetja, më ka mërzitur secila ndeshje që nuk kemi mundur ta fitojmë dhe unë nuk kam arritur të ndihmoj ekipin”, shprehet sulmuesi 25 vjeçar i Shkëndijës. 

Gjithsesi, Stojanovski duket se po gjen veten pas pauzës ndërkombëtare. Fillimisht realizoi golin e fitores 1:0 në miqësoren me Gostivarin, më pas u përfshi në aksionet e të dy golave të përmbysjes në transfertën me Pobedën, që të mërkurën ndaj Skopjes të asistojë për golin e Dorievit, pasi paraprakisht kishte shënuar nga pika e bardhë.

Sigurisht se tashmë ndjehem shumë më mirë. Jam akomoduar me ekipin, me trajnerin Qatip Osmani duket se gjejmë formën optimale dhe me këtë besoj që edhe më plan individual të jem më lartë. Humba një mundësi të pastërt me Pobedën, por u ndjeva shumë mirë në atë pjesë të dytë kur isha pjesë e aksioneve të dy golave që sollën fitoren. Një traversë në Prilep, shtylla ndaj Skopjes dhe dy-tre tentime tjera me kokë duhej të më kishin sjellë të paktën edhe dy gola, por pasi kam realizuar penaltinë, besoj se golat do të vijnë në ndeshjet në vijim”, thotë Stojanovski. 

Tani na pret ndeshja me Bregallnicën ku sërish mendojmë vetëm për fitore. Respektojmë kundërshtarin, por në fushë duam suksesin dhe do të luftojmë për të marrë tre pikët. Besoj se Shkëndijën e vërtetë do ta shohim në vazhdim të kampionatit. Puna që bëjmë dhe mbështetja nga klubi është garancë se shkojmë në rrugën e duhur drejt realizimit të ambicieve”, përfundoi sulmuesi kuqezi, Vllatko Stojanovski.

Skuadra pas ditës së enjte të lirë, nga sot ka vazhduar me stërvitjet, derisa nesër nga ora 10:00 është programuar seanca e fundit para takimit të së dielës me Bregallnicën në Tetovë me fillim në orën 14:00. 

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME