Shkëndija U 19 feston titullin e kampionit

No image

Shpresat e Shkëndijës nën drejtimin e Jeton Beqirit kanë festuar titullin e kampionit në Super Ligën e Maqedonisë për juniorë. “Kuqezinjtë” mbyllën sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke deklasuar 9:1 Pelisterin. Trofeun për vendin e parë e dorëzoi ish-futbollisti i Shkëndijës, Argjend Beqiri, tani anëtar i Këshillit Drejtues të FFM-së.

 

“Kuqezinjtë” e ri me festë kanë mbyllur sezonin garues 2016/2017, gjatë të cilit rezultuan bindshëm skuadra më e mirë në kampionat duke u shpallur me meritë kampione e Maqedonisë. Djelmoshat e Jeton Beqirit siguruan titullin xhiron e kaluar me fitoren si mysafire e Akadmia Pandevit, mirëpo bënë me seriozitet maksimal detyrën në xhiron e 22-të kur deklasuan 9:1 Pelisterin e Manastirit, për të pritur me stil fundin e ndeshjes dhe pranimin e trofeut për vendin e parë në kategori të juniorëve. Anëtari i Këshillit Drejtues të FFM-së, Argjend Beqiri dorëzoi trofeun në duart e kapitenit Shefit Shefiti, duke shënuar startin e festës së “kuqezinjëve” që fitojnë për herë të dytë në histori këtë trofe (për herë të parë Shkëndija U 19 fitoi kampionatin në vitin 2010). Ky trofe padyshim se bart meritor edhe emra tjerë trajnerësh, pasi në vjeshtë ekipi drejtohej nga Bekim Osmani që bart gjysmën e meritës për pjesën e parë kampionale, ndërsa sigurisht se meritat shkojnë edhe për gjithë trajnerët dhe koordinatorët që kanë punuar me këta futbollistë në kategoritë e tjera në rrugën drejt ekipit U 19. Shpresat e Shkëndijës të udhëhequr nga Jeton Beqiri zhvilluan një gjysmësezon pranveror të shkëlqyeshëm, kur në 11-të takime shënuan 10-të fitore dhe një barazim, ndërsa në luftën e balansuar me Vardarin vendimtar rezultoi fitorja 3:0 në duelin direkt në xhiron e 20-të. Kështu Shkëndija mbyll sezonin në vendin e parë me 59-të pikë të tubuara, me bilans prej 19-të fitoreve, dy barazimeve dhe vetëm një disfate në 22 xhiro dhe me goldiferencë 75-14. Golashënues më i mirë i sezonit rezultoi Shefit Shefiti me 24 realizime.   

FOTOGALERIA E PLOTË

Sa u përket ngjarjeve në fushë kundër Pelisterit patjetër të thuhet se ndeshja nuk kishte fare histori. Miqtë avansuan me anë Munevskit pas një gabimi të portierit të Shkëndijës, mirëpo më pas “kuqezinjtë” rritën ritmin dhe treguan përse janë më të mirët në këtë kategori. Shefiti brenda vetëm dy minutave negativën e ktheu në epërsi 2:1, Agushi pas gjysmë ore lojë shënoi për 3:1, ndërsa me gola të bukur u shfaqën Fazllagiq, Kasamim dhe Çilafi, duke shkuar në pushim me shifrat 6:1. Në pjesën e dytë trajneri Beqiri bëri disa zëvendësime, ndërsa Bajrami me shpejtësi shënon për 7:1, për të pasuar dy golat e Shabanit për rezultat 9:1. Miqtë me mungesë zëvendësimesh dhe disa lojtar të lënduar më shumë qëndronin shtrirë në teren, kështu që takimi u mbyll në favor të Shkëndijës që me meritë festoi titullin e kampionit në këtë kategori të futbollistëve.

 

SHKËNDIJA U 19 – PELISTERI U 19 9:1 (6:1)
Tereni me bar sintetik të Qendra Sportive në Tetovë
Arbitër: Fitim Zulbeari
Arbitra anësorë: Jetmir Zenuni dhe Nasuf Latifi
Golashënues: Shefiti 20’ e 22’, Agushi 29’, Fazllagiq 40’, Kasami 42’, Çilafi 43’, Bajrami 46’ dhe Shabani 50’ e 52’ (Shkëndija), ndërsa Munevski 9’ (Pelisteri).
Kartona të verdhë: /
Karton i kuq: /
SHKËNDIJA U 19: Havziu (Ibraimi 46’), Loki, Fazllagiq, Y. Bekiri (Agon Huseini 46’), Kasami (Karimani 49’), Shefiti (R. Zeqiri 46’), Agushi, Çilafi (Shabani 46’), Asani (Luma 46’), Aliti, Bajrami (Selimi 49’).
Trajner: Jeton Beqiri
PELISTERI U 19: Bojçevski, Mitrevski, Gjorgjiovski, Tasevski, Mitrevski, Talevski, Velevski, Hristovski, Boshevski, Munevski, Temelkovski.
Trajner: Sasho Ilievski

Tags

Share Now

About Author

Related Post