PREVIEW | Sileks vs Shkëndija

No image

Kuqezinjtë rikthehen në aksion të enjten kur takohen me Sileksin në Kratovë në kuadër të xhiros së 24-t në LPFM.

Shkëndija len pas pauzën e kampionatit shkaku i ndeshjeve të ekipeve përfaqësuese dhe 12-të ditë pas duelit me Rabotniçkit do të kërkojë pikë të reja kundër Sileksit në transfertë. Stafi teknik vlerësoi pozitive pauzën kur ekipi fitoi hapsirën e duhur për të pushuar dhe në të njejtën kohë të akumulojë energji të reja për sfidat e ardhshme. Mungesën e ndeshjeve kampionale ekipi e kompensoi me miqësoren me Vëllaznimin e Gjakovës (barazim 0:0), ndërsa gjithë kohën skuadra ka punuar pa lojtarët e grumbulluar me ekipet përfaqësuese.

Të rejat në skuadër
Reprezentuesit e Maqedonisë, Egzon Bejtullai dhe Visar Musliu bashkë me më të rinjtë që ishin pjesë e moshave të vendit, Shqipërisë dhe Kosovës janë kthyer në stërvitje dhe stafi teknik vetëm të mërkurën ka mundur të llogarisë në të gjithë futbollistët.

 

Në kombinim kthehet Besmir Bojku që humbi sfidën me Rabotniçkin shkaku pezullimit me pesë kartona të verdhë. Marjan Radeski zhvilloi 45 minuta shumë pozitive në miqësoren me Vëllaznimin e Gjakovës dhe stafi teknik e ka futur në listën e futbollistëve që do të konkurojnë për lojë nesër kundër Sileksit.

 

 

Kundërshtari
Kuqezinjtë përfundimisht shkojnë në një prej transfertave më të dëshiruara kohëve të fundit. Sileksi është ‘klient’ i rregullt i Shkëndijës dhe kuqezinjtë nuk humbin në Kratovë prej 6 dhjetorit të vitit 2015, që është humbja e vetme në 27-të duelet e fundit mes dy skuadrave. Në këtë kampanjë Shkëndija fitonte 2:1 sfidën e parë si mysafire, ndërsa në Tetovë takimi u mbyll me triumf bindës 5:0. Skuadra e trajnerit Qatip Osmani tash kërkon fitoren e tretë sezonale kundër rivalit nga Kratova dhe skuadra duket e gatshme për të bërë detyrën e saj në xhiron e 24-t të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë.

Takimi Sileksi-Shkëndija luhet të enjten në stadiumin e qytetit në Kratovë me fillim në orën 14:30.