Osmani: Fitorja rezultat i lojës së mençur dhe agresive

No image

Shkëndija vazhdon hapërimin drejt mbrojtjes së titullit të kampionit, duke kaluar në mënyrë bindëse pengesën e xhiros së 24-t në LPFM. Sileksi u dorëzua edhe një herë para kuqezinjëve që morrën fitoren 3:0 falë golave të Agim Ibraimit dhe Visar Musliut, si dhe një autogoli të mbrojtësit vendas Milenkovski. Fitore me vlera e marrë në terren mysafir që sipas teknikut kuqezi ishte rezultat i performansës së duhur të skuadrës.

“Sot pamë një Shkëndijë agresive, luftarake, Shkëndijë e mençur dhe rezultat i kësaj sigurisht se është fitorja. Sa i përket lojës, mendoj se dominuam 90-të minuta, përveç tre golave krijuam edhe disa raste që mbetën pa u shfrytëzuar. Kishim disa momente dekoncentrimi kur ekipi i Sileksit na krijoi disa mundësi, por megjithatë jam i kënaqur me fitoren”, deklaroi trajneri Qatip Osmani pas fitores bindëse në Kratovë.

Shkëndija arkivon në mënyrë eksprese fitoren e sotme, pasi vëmendja menjëherë kthehet kah sfida e rradhës kur të dielën përballemi me Pobedën në stadiumin e qytetit në Tetovë.