PREVIEW | Shkëndija – Sileksi

No image

Kuqezinjtë të mërkurën në Tetovë presin Sileksin në takimin e xhiros së 11-të të Ligës së Parë të futbollit në Maqedoninë e Veriut.

Mesjava sjell xhiro të rregullt në elitën e futbollit vendor dhe futbollistët kuqezi do të kenë mundësi të re për t’i dhënë fitoren e parë në pankinë trajnerit, Ernest Gjoka. Tiranasi u përball me humbje 1:0 në debutim të premten e shkuar kundër Akademia Pandevit, në një ndeshje ku skuadra duket se ‘u dogj’ nga dëshira e madhe për fitore. Me një përvojë më tepër në këtë drejtim, skuadra ka punuar me përkushtim maksimal për të qenë e gatshme për sfidën e të mërkurës përballë Sileksit të Kratovës.

Të rejat në skuadër
Pas pauzës shkaku i pesë kartonave të verdhë në skuadër kthehet Stenio Junior që pritet të jetë një vlerë e shtuar për formacionin e Gjokës. Për arsye të lëndimit apo rikuperimit të pamjaftueshëm nuk është i gatshëm për lojë Zija Merxhani.

Kundërshtari
Sileksi në Tetovë vjen me një bilans jashtëzakonisht negativ në ndeshjet e luajtura si mysafir në këtë sezon, pasi numërojnë pesë disfata nga po aq ndeshje në të cilat kanë shënuar vetëm një gol dhe kanë pranuar 9-të. Të shtunën në Kratovë fituan bindshëm 3:0 Renovën, duke koleksionuar pikë të rëndësishme që i mbajnë në mesin e tabelës dhe për këtë meritat shkojnë në paraqitjet pozitive në fushë të vet ku kanë katër fitore dhe një disfatë.
Në 44 përballje mes veti deri tani Shkëndija dominon me 29 fitore dhe 7 barazime, derisa Sileksi numëron vetëm 8 triumfe. Herën e fundit Sileksi në Tetovë ka triumfuar 11-të vite më parë, saktësisht në prill të vitit 2008 kur fitonin 1:2. Prej atëherë kuqezinjtë kanë dominuar dhe pretendimet janë që ky bilans të vazhdojë edhe pas ndeshjes së nesërme.

Ndeshja Shkëndijës-Sileksi e vlefshme për xhiron e 11-të në LPFMV zhvillohet të mërkurën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 14:30.