Kuqezinjtë dalin të mundur edhe në xhiron e dytë të LPFMV, pasi Sileksit në Kratovë i mjaftoi një gol për të koleksionuar tre pikë.
• Shkëndija mundet 1:0 në transfertën me Sileksin
• Kuqezinjtë pësojnë pas 14 ndeshjeve nga ky rival
• Një gol i Duranskit u mjafton vendasve për tre pikë
• Sfida e rradhës e kuqezinjëve është me Gostivarin në Kupë
Shkëndija nuk gjen suksesin edhe në xhiron e dytë të sezonit të ri, pasi skuadra del e mundur nga dueli me Sileksin. Trajneri Osmani solli disa ndryshime në formacion për dallim nga sfida e parë me A. Pandev, pasi nga fillimi nisën Alimi, Totre, Radeski dhe Imeri, ndërsa në pankinë u gjetën B. Ibraimi, Junior, Husmani dhe Zejnullai. Gjithsesi, Shkëndija ishte ekipi që u vendos në sulm prej fillimit dhe pas të majtës së A. Ibraimit në minutat e para, nxitjet më serioze do të vinin në minutën e 17-të kur bllokohet e djathta e Imerit, ndërsa Radeski nuk gjen kuadrantin. Vendasit kërkonin kohë pas kohe të dalin përpara, por pa krijuar ndonjë rast më serioz. Pas gjysmë ore lojë kuqezinjtë provuan të rrezikojnë me Imerin goditja e të cilit kontrollohet nga Efremov, kurse në anën tjetër pas një harkimi tentimi me kokë i D. Serafimovskit shkoi mbi traversë. Shkëndija kërkoi të riste presionin dhe solli disa kanosje, me Bejtullain që godet me kokë drejt në duart e Efremovit, ndërsa pak më vonë portieri vendas largon në këndore të majtën e Imerit. Për dominimin e Shkëndijës në pjesën e parë flet fakti se vendasit tentimin e parë në kuadrantin e portës së Zahovit e kishin tre minuta para pauzës, kur e djathta qendrore e Duranskit nuk shqetëson fare gardianin kuqezi. Pak më vonë Zahov kontrollon edhe tentimin e Ristovit, kurse në çastet e fundit në skenë shfaqet Radeski që shkoi pranë golit në dy raste. Fillimisht e djathta e tij ndalet në shtyllën e portës vendase, ndërsa pak më vonë pas harkimit të Alimit tentimi me kokë përfundon në duart e Efremovit.
Fraksioni i dytë nisi në mënyrën më të keqe për Shkëndijën, pasi pa kaluar tre minuta vendasit gjetën golin e epërsisë, që në fund do të tregohej vendimtar për epilogun final. Duranski krijon pozitë për goditje dhe me një të djathtë të fortën gjen cepin e portës për avantazh 1:0. Tentoi Shkëndija të reagojë, u bënë edhe disa zëvendësime duke kërkuar freski me B. Ibraimin, Junior dhe Nafiun, por ndryshimi asesi të vinte. Alimi kishte një tentim të pasuksesshëm, para se Zahov të kontrollonte gjuajtjen e lirë të vendasve. Shkëndija u përball me vështirësi të çante mbrojtjen e ngjeshur të Sileksit, me vendasit që nuk lëshonin asnjë rast për të zvaritur lojën me shtrirje në terren. Në minutën e 78-të ishim me fat kur tentimi i Gjuriqit ndalet në kornizën e portës, ndërsa në vazhdim Duranski godet mbi traversë. Deri në fund çdo tentim i kuqezinjëve rezultoi i pasuksesshëm dhe skuadra edhe nga ky duel doli e mundur.
“Ndoshta jemi bërë të mërzitshëm duke përsëritur se joefikasiteti në sulm mbetet problem serioz, por kur nuk shënon dhe ndërkohë pranon gol disfata është e pashmangshme”, u shpreh trajneri Qatip Osmani.
SILEKSI-SHKËNDIJA 1:0 (0:0)
Stadiumi i qytetit në Kratovë
Shikues: 300
Arbitër: Marjan Eckoski
Golashënues: Duranski 48′ (Sileksi)
SILEKSI: Efremov, Drashkoviq, H. Grozdanoski, Ivanovski (Gjuriq 56′), Duranski (c) (Jusuf 87′), Serafimovski, D. Grozanoski (Karçeski 70′), Ristov, Dodev, Timovski, Kocev.
Trajner: Goran Simov
SHKËNDIJA: Zahov, Mici, Bejtullai (c), Radeski (Nafiu 68′), A. Ibraimi, Murati, Çeshmexhiev, Felipe (B. Ibraimi 59′), Alimi, Imeri (Junior 75′), Totre.
Trajner: Qatip Osmani