Shkëndija ka mundur si mysafire Sileksin me rezultat 3:1 në takimin e vlefshëm për xhiron e 10-të LPFM-së. Zhunior hapi ndeshjen me gol pas vetëm dy minutave lojë, ndërsa në pjesën e dytë Ibraimi me dy gola zgjidhi çështjen e fituesit. Vendasit shënuan për 1:3 me anë të Nedelkoviqit, me një gol që ka vlerë vetëm për statistikë.
Skuadra kthehet me tre pikë nga transferta me Sileksin në Kratovë, ku futbollistët treguan autoritet në teren dhe për 88-të minuta kishin epërsi në rezultat përballë vendasve që nuk kapnin dot ritmin e ‘kuqezinjëve’.
Shkëndija nisi furishëm takimin duke sulmuar që nga sekonda e parë portën vendase. Pas vetëm 25 sekondave lojë Ibraimi sjell kanosjen e parë me topin që shkon skaj portës, ndërsa në minutën e rradhës skuadra ‘kuqezi’ që luante me fanella të bardha kaloi në epërsi. Alimi fiton topin në mesfushë dhe pason për Hasanin, i cili në hyrje të zonës asiston drejt Zhuniorit, me brazilianin që shënon për 0:1. Avantazhi i hershëm i dha skuadrës liri për të luajtur pa presion, ndërsa Shkëndija kishte kontroll të madh të topit dhe aksionet para portës vendase rradhiteshin si në shiritin filmik. Ibraimi në tre-katër raste, Hasani, Zhunior dhe Imeri kishin mundësi të mira për të shënuar, mirëpo në pauzë skuadrat shkuan me rezultat 0:1 për miqtë.
Deri sa në pjesën e parë Shkëndija humbi shumë shanse shënimi, në të dytën realizoi me shpejtësi duke zgjidhur çështjen e fituesit në këtë ndeshje. Ishte minuta e 49-të kur Hasani frymëzon aksion duke pasuar për Alimin që asiston drejt Ibraimit, ndërsa sulmuesi me një të majtë të fortë shënon për 0:2. Në minutën e 66-të Pollozhani bukur vertikalizon për Ibraimin, ndërsa sulmuesi pasi del para portierit godet saktë për 0:3. Këtu Shkëndija siguroi tre pikët, trajneri Akrapoviç tërhoqi nga loja Hasanin dhe Zhuniorin për tu dhënë pushim, ndërsa vendasit shfrytëzuan një situatë në minutën e 71 kur Nedelkoviq shënon për 1:3. Deri në fund Shkëndija kishte kontroll në teren, administroi lojën me sukses dhe në fund doli me tre pikë nga ky duel.
COACH’S VIEW | Akrapoviç: Fitore e rëndësishme me lojë shumë të bukur
Shkëndija ka manifestuar autoritetin e saj përballë Sileksit në Kratovë, duke dominuar fituar 3:1 në një ndeshje të dominuar në tërësi me posedimin e topit dhe shanset e krijuara. Trajneri Akrapoviç vlerëson paraqitjen e ekipit në një teren të vështirë si ai në Kratovë, ndërsa potencon se ekipi barti në lojë gjithë atë që kishin ushtruar në stërvitje.