-
H 1:0
- |||, Antalya TC 2020
- 2020-02-07 14:00
Shkëndija fiton 1:0 testin me Slovan Liberecin e Republikës Çeke në ndeshjen e fundit kontrolluese, me çka edhe zyrtarisht mbyllet faza përgatitore në Antali të Turqisë, me ekipin që të shtunën kthehet në Tetovë.
Kuqezinjtë e mbyllin në mënyrën më të mirë fazën kryesore të përgatitjeve dimërore në Antali të Turqisë, pasi mundën 1:0 skuadrën e Slovan Liberecit në ndeshjen e katërt dhe të fundit kontrolluese. Stafi teknik këtë ndeshje e kishte si provë gjenerale para fillimit të gjysmësezonit pranveror fundjavën e ardhshme.
Në testin e sotëm mundësia e parë më serioze erdhi në minutën e 16-të kur pas harkimit të Agim Ibraimit goditja me kokë e Alimit ndalet nga portieri kundërshtar Nguyen, ndërsa disa sekonda më vonë e djathta e Imerit shkon mbi portë. Vetëm pas dy minutave Shkëndija sjell tjetër mundësi kur me kombinim niset një këndore, por e djathta e B. Ibraimit devijohet nga Imeri dhe shkon jashta kuadrantit. Pas gjysmë ore lojë të dy palët sollën nga një tentim mbi portë, para se pesë minuta para pauzës Zahov të kontrollonte pa problem një goditje qëndrore. Mundësinë e fundit në pjesën e parë e kishte Besart Ibraimi, por portieri i Slovan Liberecit pastroi rrezikun.
Pjesa e dytë nisi me një kanosje të kundërshtarit kur Pešek godet fortë, por pret në dy kohë Zahov. Goli do të vinte në anën tjetër kur në minutën e 55-të B. Ibraimi kombinon dyfish me Imerin para se me një të djathtë precize të realizojë për 1:0. Në vazhdim dy skuadrat vazhduan lojën e hapur dhe kanosjet nuk mungonin, por pa ndryshim të rezultatit. Zahov solli dy intervenime të sigurta në portë, ndërsa në anën tjetër Alimi bllokohet në zonë dhe goditja shkon lartë mbi traun e portës. Aksion të bukur kuqezinjtë sollën në minutën e 72-të kur B. Ibraimi dhe Nafiu kombinojnë bukur në zonë, me kapitenin që kësaj rradhe nuk gjen kuadrantin. Deri në fund tempoja e lojës pësoi rënie, e ndikuar edhe nga ndryshimet e shumta në formacion, por rezultati mbeti i pëndryshuar, Shkëndija 1, Slovan Liberec 0.
Kështu kuqezinjtë mbyllin fazën përgatitore në Antali, ku përveç seancave stërvitore u zhvilluan edhe katër ndeshje kontrolluese përballë Seredit të Sllovakisë (fitore 3:2), Karvinës së Republikës Çeke (barazim 0:0) dhe Randersit të Danimarkës (barazim 3:3) dhe kjo e sotmja me Slaven Liberecin e Republikës Çeke (fitore 1:0).
SHKËNDIJA-SLOVAN LIBEREC 1:0 (0:0)
Golashënues: B. Ibraimi 55′ (Shkëndija)
SHKËNDIJA: Zahov, Murati, Krivak, Dallku, Mici, Totre, Alimi, A. Ibraimi, Ahmedi, Imeri, B. Ibraimi (c).
Luajtën edhe: Çeshmexhiev, Nafiu, Fazli, Neto, Zejnullai, Neziri, Merxhani, Sadriu dhe El Sahhal.
Trajner: Ernest Gjoka