Kuqezinjtë e nisin mbarë gjysmësezonin pranveror, duke fituar A. Pandev me përmbysje. Alimi dhe A. Ibraimi shënuan golat që asgjësuan epërsinë e hershme të vendasve.
• Shkëndija fiton 2:1 transfertën me Akademia Pandevin
• Alimi dhe A. Ibraimi me penalti shënuan golat e triumfit
• Vendasit realizuan me Milovanoviqin në minutën e 5-të
• Debutojnë në ndeshje zyrtare Krivak dhe Ahmedi
Start i mirë i kuqezinjëve në vitin 2020, pasi dalim me fitore dhe tre pikë në duelin e xhiros së 19-të të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë. Shkëndija fiton 2:1 në Strumicë përballë Akademia Pandevit, skuadër që na kishte mundur në dy takimet e para të këtij sezoni.
Ndeshja nisi keq për tanët që pranuan gol që në minutën e 5-të kur Milovanoviq shfrytëzoi pozitën e vetmuar para Zahovit edhe pse vetëm disa sekonda më herët u duk se portieri vendas Çubrakoviq kontrolloi topin me duar jashta vijës së 16-të metrave. Shkëndija kërkoi të përgjigjet me Imerin e djathta e të cilit shkoi skaj portës, ndërsa nuk gjen kuadrantin edhe Alimi me një të djathtë të fortë nga distanca. Kuqezinjtë rritën presionin dhe insistimi do të jepte rezultat në minutën e 22-të kur Agim Ibraimi harkon saktë në zonë, ndërsa Alimi me kokë barazon në 1:1. Pikërisht numri jonë ‘5’ deri në fund të pjesës së parë do të sillte edhe tentimet e rradhës për golin e dytë, por një goditje dënimi dhe një tjetër nga distanca nuk gjetën kuadrantin.
Fraksionin e dytë e nisëm me një zëvendësim kur Fazli zuri vendin e Ahmedit. Pikërisht numri ‘9’ kishte mundësi të madhe për gol kur shërbehet me top para zonës nga Besart Ibraimi, mirëpo gjuajtja e parë bllokohet nga vendasit, ndërsa tentimi i dytë shkoi skaj portës. Në anën tjetër ishin me fat kur kundërsulmi i vendasve me Doriev nuk u shfrytëzua nga Mujevci që çoi topin pak mbi traverzë. Autoriteti i Shkëndijës që shfaqej në terren s’kishte si mos sillte rezultat dhe në minutën e 54-t Besart Ibraimi me insistim futet ndërmjet disa lojtarëve në zonë, për tu ndalur me faul dhe penalti të kuqezinjëve. Agim Ibraimi nuk gabon nga 11-të metërshi dhe kuqezinjtë përmbysin gjithçka duke kaluar në epërsi 2:1.
Vazhduam edhe më tej të menaxhojmë lojën dhe u kanosëm me Fazli, goditja e të cilit nuk shkakton problem për portierin vendas, ndërsa në anën tjetër Pandev sjell një të majtë të fortë pak mbi traversë. Kuqezinjtë nuk lejuan të rrezikohen deri në minutat e fundit, kur duhej një pritje spektakolare e portierit Zahov, që nxjer topin nga vija e portës, për të ruajtur epërsinë dhe tre pikët në këtë transfertë të vështirë.
AKADEMIA PANDEV-SHKËNDIJA 1:2 (1:1)
Stadiumi “Mlladost” në Strumicë
Shikues: 1 500
Arbitër: Dimitar Meçkarovski
Golashënues: Milovanoviq 5′ (Akademia Pandev), ndërsa Alimi 22′, A. Ibraimi pen. 55′ (Shkëndija)
AKADEMIA PANDEV: Çubrakoviq, Jovanov, Dimov, Stoilov, Mujeci, Milovanoviq (Temelkov 83′) Cikarski, Doriev (c), Tomovski (Najdenov 75′) Tanushev (Pandev 61′), Grnçov.
Trajner: Jugosllav Trençovski
SHKËNDIJA: Zahov, Mici, Alimi, B. Ibraimi (c) (Nafiu 83′), Totre, A. Ibraimi, Ahmedi (Fazli 46′), Murati, Krivak, Imeri (Radeski 58′), Çeshmexhiev.
Trajner: Ernest Gjoka