“Kuqezinjtë” mbyllin sezonin me fitore 3:1 pasi mundën Pelisterin në xhiron e fundit. Miqtë avansuan në pjesën e parë, ndërsa në vazhdim dy herë Asani dhe një gol i Juffos kompletojnë përmbysjen dhe fitoren.
Debutojnë në kampionat të rinjtë Çilafi dhe Agushi. Sot fitorja më e madhe nuk ishin tre pikët, por e ardhmja. Kjo ndeshje tregoi se Shkëndija ka një të ardhme të ndritshme, pasi akademia ka përgatitur talentë që kanë kapacitet të bartin barën e klubit në një të ardhme të afërt. Ky është tregues për punën e mirë që bëhet vite me rradhë në Akademinë e klubit.Shkëndija në këtë ndeshje vinte me formacion krejtësisht të ri, me vetëm Pollozhanin, Juffon dhe Abdurahimin nga lojtarët më me përvojë dhe të rinjtë Murati, Totre e Zejnullai që kanë pasur minuta edhe në ndeshjet paraprake. Juffo dhe Abdurahimi sollën kanosjet e para, që nuk sollën ndryshim, ndërsa Pelisteri avansoi në mundësinë e parë që kishte. “Kuqezinjtë” humbën topin në mesfushë, ndërsa Ilijoski realizoi për 0:1. Shkëndija në vazhdim sulmoi duke kërkuar barazimin, mirëpo rezultuan të pasuksesshme disa tentime të Abdurahimit, Muratit dhe Juffos. Shkëndija në pjesën e dytë vazhdoi të sulmojë dhe loja e këtillë solli efekt, duke përmbysur rezultatin në harkun kohor prej vetëm dy minutave me aktorë të njejtë Abdurahimin asistues dhe Asanin realizues. Fillimisht në minutën e 52-të Abdurahimi depërton në krahë dhe asiston në shtyllën e dytë ku Shpend Asani shënon për 1:1. Vetëm dy minuta më vonë sërish Abdurahimi depërton në stilin e tij dhe asiston për Asanin, me këtë të fundit që gjen cepin e portës për epërsi 2:1. Pelisteri nga minuta e 66-të mbeti pa Ilijoskin e ndëshkuar me karton të kuq. Ndërkohë trajneri i Shkëndijës Selimi u dha shans të debutojnë në kampionat të rinjëve Çilafi e Agushi, ndërsa nga minuta e 73-të kapiten i ekipit ishte Bashkim Lama që hyri në vend të Asanit, por pranoi shiritin nga Pollozhani. Shkëndija deri në fund pati disa mundësi për golin e katërt, mirëpo në fund takimi u mbyll me shifrat 3:1.
SHKËNDIJA-PELISTERI 3:1 (0:1)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: /
Arbitër: Marjan Markoski
Arbitra anësorë: Laze Çakareski dhe Simon Grdanoski
Arbitra shtesë: Toni Mitrevski dhe Bobi Veliçkov
Delegat: Goce Shoposki
Golashënues: Asani 52′ e 54′ dhe Juffo 78′ (Shkëndija), ndërsa Ilijoski 10′ (Pelisteri)
Kartona të verdhë: Bllazhevski (Pelisteri)
Karton i kuq: Ilijoski 66′ (Pelisteri)
SHKËNDIJA: Nuhi, Totre, Murati, Zejnullai (Agushi 81′), Bojku, Juffo, Shefiti (Çilafi 60′), Taipi, Asani (Lama 73′), Pollozhani, Abdurahimi.
Trajner: Erhan Selimi
PELISTERI: Petrovski, Mishevski, Bozhinovski, Bllazhevski (Boshevski 70′), Ilijoski, Kovaçev, Popzllatanov, Markoski, Petrov (Mirçevski 46′), Iliev (Zdravevski 53′), Bujçevski.
Trajner: Naxhi Shensoi