Shkëndija mund 2:1 Akademia Pandevin dhe koleksionon fitoren e tretë nga po aq ndeshje në kampionat. Golat për Shkëndijën shënohen nga Alimi dhe Junior njëjtë si në xhiron e parë me Vardarin, por kësaj rradhe në fraksionin e parë. Alimi shënon për të tretën ndeshje me rradhë, ndërsa “kuqezinjtë” me 9-të pikë udhëheqin renditjen.
Vazhdon ecuria e sigurtë e “kuqezinjëve” në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë, pasi në kuadër të xhiros së tretë në Tetovë mundin 2:1 Akademia Pandevin. Trajneri Osmani në formacionin startues i dha mundësi të riut Shefit Shefiti në vend të kapitenit Ferhan Hasani që mbeti jashta kombinimit shkaku i lëndimit. “Kuqezinjtë” nisën me sulme që në minutat e para dhe solli disa aksione lara portës kundërshtare. Në minutë e 9-të Alimi harkon në zonë, mirëpo tentimi i Ibraimit me kokë shkoi pak skaj portës. I njejti futbollist kanoset edhe në minutën e 13-të nga gjuajtja e lirë, mirëpo topi ndalet në shtyllë. Këtë tempo miqtë do e rezistonin deri në minutën e 18-të kur Alimi lëviz bukur në sulm dhe asiston për Todorovskin, goditja e të cilit ndalet nga Vujanav, mirëpo Alimi pret topin e dëbuar dhe me të parën me vole zhbllokon sfidën dhe i jep epërsi 1:0 Shkëndijës. Skuadra vazhdoi të shfaqet me lojë të rrjedhshme dhe kombinime të sakta dhe në minutën e 30-të do të vinte aksion perfekt nga Ibraimi, Alimi dhe Todorovski, ndërsa asisti i këtij të fundit gjeti në shtyllë të dytë Juniorin që realizon për 2:0. “Kuqezinjtë” shkuan në pushim me epërsi solide, ndërsa në start të pjesës së dytë për pak sa nuk gjetën golin e tretë pas një momenti atraktiv kur Ibraimi asiston ndërsa volei i Alimit fluturoi pak mbi traversë. Mysafirët kanosjen e parë më serioze e kishin në minutën e 66-të kur Doriev del i vetmuar para Zahovit, mirëpo portieri jonë bllokon në kohë tentimin e kundërshtarit. Pas kësaj pasoi një periudhë e qetë në teren me Shkëndijën që administronte sigurtë lojën, ndërsa 15-të minuta para fundit Abdurahimi depërtin në të djathtë dhe harkon për Radeskin, mirëpo ky i fundit me kokë nuk gjen kuadrantin. Pa më vonë sërish depërtim nga Abdurahimi, tani goditja e tij devijohet në këndore nga Vujanac. Në minutën e 80-të Baldovaliev gjendet në shans për të shënuar, por Bejtullai bllokon me start sakrifikues. Miqtë arrijnë të shënojnë golin e nderit dy minuta para fundit të kohës së rregullt kur Doriev gjendet në mundësi të mirë dhe me një të djathtë precize ul shifrat në 2:1. Përkundër kësaj Shkëndija administroi sigurtë minutat mbetura dhe në pushimin dy javor shkon me tre pikë të reja dhe si lidere e renditjes.
SHKËNDIJA-AKADEMIA PANDEV 2:1 (2:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 4 000
Arbitër: Marjan Markoski
Arbitra anësorë: Nebojsha Gjorgjievski dhe Darko Jovçevski
Delegat: Xhevdet Dalipi
Golashënues: Alimi 18′ dhe Junior 30′ (Shkëndija), ndërsa Doriev 88′ (Akademia Pandev)
Kartona të verdhë: /
Karton i kuq: /
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai, Alimi, Cuculi, Ibraimi, Totre, Radeski (Zejnullai 81′), Junior, Teqja, Shefiti (Abdurahimi 60′), Todorovski (Bojku 90’+).
Trajner: Qatip Osmani
AKADEMIA PANDEV: Vujanac, Atanasovski, Dimov, Ivanov, Stoliov, Atanasov, Doriev, Varelovski, Grifoni (Boven 72′), Baldovaliev (Mishov 87′), Çeshmexhiev.
Trajner: Jugosllav Trençovski