“Kuqezinjtë” me formacion të kombinuar fitojnë 0:2 Gostivarin dhe sigurojnë kualifikim në të tetën e finales së Kupës së Maqedonisë. Abdurahimi dhe Zejnullai në të parën shënuan golat për Shkëndijën, ndërsa debutoi prej fillimit përforcimi i fundit, Xhelil Asani. Në pjesën e dytë u inkuadruan edhe të rinjtë Ylber Beqiri, Arlind Aliti dhe Alban Rasimi.
Shkëndija pa problem kalon fazën e parë të Kupës së Maqedonisë, pasi si mysafire mundi Gostivarin me shifrat 0:2. Pa pjesën më të madhe të futbollistëve standard, trajneri Osmani shans për të luajtur u dha lojtarëve më të ri, përfshi edhe prurjen e fundit Xhelil Asanin. Fillimi i takimit solli disa kanosje në të dyja portat, ndërsa portieri Avdyli në minutën e 18-të priti sigurtë një goditje dënimi të vendasve. Vetëm disa sekonda më vonë në shans goli u gjet përforcimi më i ri i Shkëndijës, Asani, mirëpo e majta e tij u devijua në rivënie nga këndi. Shkëndija humbi në vazhdim disa tjera mundësi shënimi, prej të cilave veçojmë minutën e 33-të kur porteri vendas Ramani bllokon Zejnullain që u gjet i vetmuar para portës. Ndryshimi erdhi në minutën e 34-t kur Abdurahimi lëviz mirë në zonë dhe shënon për epërsi 0:1. Katër minuta para pushimit sërish Abdurahimi në aksion, kësaj rradhe asiston për Zejnullain, i cili godet saktë për dyfshim të rezultatit. Në pjesën e dytë dy herë rrezikshëm u kanos Abdurahimi, ndërsa edhe poriteri i Shkëndijës Ilir Avdyli që debutonte në një ndeshje zyrtare u dallua me disa intervenime të sigurta. Me disa shanse të humbura dhe rezultat të pandryshuar në pjesën e dytë vlen të ceket mundësia për të luajtur që trajneri Osmani u dha të rinjëve Ylber Beqiri, Arlind Aliti dhe Alban Rasimit.