Hap fals me Horizont Turnovën
Shkëndija është ndalur me barazim 2:2 me Horizont Turnovën në Kërçovë në një takim që solli performansë të dobët të ‘kuqezinjëve’. Shkëndija kishte dy herë epërsi, mirëpo lejoi kundërshtari të merr barazim me një lojtar më pak.
Performansë e dobët dhe vetëm një pikë nga dueli ku pretendoheshin tre pikë të sigurta. ‘Kuqezinjtë’ nuk ishin në nivel dhe bënë hap fals në xhiron e 14-të të Ligës së Parë, kur barazuan 2:2 me ekipin modest, por të përkushtuar të Horizont Turnovës. Shkëndija kishte dy herë epërsi dhe një futbollist më shumë në pjesën e dytë, por lejuan kundërshtari të barazojë dhe të rëmbejë një pikë nga ky duel. ‘Kuqezinjtë’ nisën të orientuar në sulm dhe në minutën e 13-të fitojnë penalti pasi Mavrov ndal me dorë në zonë një goditje të Ibraimit nga gjuajtja e lirë. Ibraimi merr përgjegjësinë për të goditur nga pika e bardhë me realizon saktë për epërsi 1:0. Këtu u duk se gjërat do shkojnë në kahjen e duhur, mirëpo një reagim i dobët në mbrojtje i mundësoi Sashko Pandevit të krijojë hapsirë dhe me një të djathtë precize sjell simetri në rezultat. Shkëndija nuk u kënaq me barazimin dhe u hodh në sulm. Pas disa rasteve të humbura në minutën e 35-të Stenio Zhunior shënon gol të bukur për të rikthyer epërsinë e Shkëndijës. Në pjesën e dytë pritej sigurimi i tre pikëve, mirëpo loja jo e qartë dhe me shumë gabime në minutën e 51 bëri që Horizonti me anë të Najdenovit të barazojë në 2:2. Në minutën e 65-të kundërshtari mbeti me një futbollist më pak në teren pas kartonit të kuq të Stolovit, mirëpo Shkëndija nuk gjeti golin e tretë dhe lejoi të humbë dy pikë të rëndësishme nga kjo përballje.
SHKËNDIJA-HORIZONT T. 2:2 (2:1)
Stadiumi i qytetit në Kërçovë
Shikues: 1 000
Arbitër: Dejan Jakimovski
Arbitra anësorë: Igor Shirilov dhe Nikolla Biozhinovski
Delegat: Rami Rexhepi
Golashënues: Ibraimi pen. 13’, Zhunior 35’ (Shkëndija), ndërsa Pandev 23’, Najdenov 51’ (Horizont T.)
Kartona të verdhë: Demiri (Shkëndija), ndërsa Mavrov, Stoilov 2, Najdenov (Horizont T.)
Karton i kuq: Stoilov 65’ (Horizont T.)
SHKËNDIJA: Jovanovski, Alimi, Cuculi, Demiri, Radeski (Kirovski 64’), Zhunior, Totre (Vruçina 64’), Ibraimi, Pollozhani, Todorovski, Berisha.
Trajner: Shpëtim Duro
HORIZONT T..: Stoilkov, Tashev, Iliev, Tafe, Mavrov, Bozhinov (Krstovski 90’+1’), Milushev, Pandev (Tanushev 34’), Koçoski (Ivannov 69’), Najdenov, Stoilov.
Trajner: Jane Nikollovski
Galeria:
Leave us a reply