Cake, Milev dhe Mujezinoviç sjellin golat për fitore të sigurtë të Shkëndijës, 3:1 përballë Rabotniçkit.
Detajet e ndeshjes:
SHKËNDIJA-POBEDA 3:1 (2:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Golashënues: Cake 9’, Milev 28’ dhe Mujezinoviç 82’ (Shkëndija), ndërsa Rusheviq 90’+3 (Rabotniçki)
Arbitër: Stojançe Stojanov (Shtip)
SHKËNDIJA: Taleski, Maksimov (Murati 85’), Bejtullai, Cake, Velija, Qaka (Mujezinoviç 78’), Totre, Çinari (Jakupi 85’), Hasani (Ramadani 61’), Shala, Milev.
Trajner: Qatip Osmani
RABOTNIÇKI: Aleksovski, Despotovski, Gjuriq, Velkovski (c), Alimi (Todorovski 55’), Angelov, Fetai (Gando 46’), Markoski (Manojlov 70’), Mazari (Rusheviq 46’), Sharkoski (Boshkovski 86’), Alomeroviq.
Trajner: Millan Ilievski
Ndeshja:
Kuqezinjtë koleksionojnë fitoren e dytë të njëpasnjëshme si vendase në gjysmësezonin pranveror, duke mundur sot me shifrat bindëse 3:1 Rabotniçkin në kuadër të xhiros së 22-të në LPFMV. Përveç tre pikëve, gëzon fakti se janë zhbllokuar sulmuesi Milev dhe mesfushori Mujezinoviç, të cilët bashkë me Caken ishin autorët e golave për Shkëndijën.
Starti i furishëm për kuqezinjtë që gjetën epërsinë pas vetëm 9-të minutave lojë. Çinari harkoi saktë nga këndi, ndërsa pasi portieri Aleksovski ndali mrekullisht goditjen me kokë të Hasanit, Cake nuk e pati të vështirë të përcillte topin në rrjetë për avantazh 1:0. Shkëndija nuk u tërhoq, përkundrazi, vazhdoi të dominojë dhe kërkonte golin e dytë derisa Rabotniçki nuk arrinte të vendos baraspeshë në posedim të topit dhe gjithë kohën tentonin të mbrohen në pjesën e tyre. E vetmja mundësi për gol të miqve ishte ndonjë gabim eventual i tanëve, mirëpo edhe kur kjo ndodhi Taleski për mrekulli ndali goditjen e Velkovskit që doli i vetmuar para tij. Shkëndija vazhdoi të dominojë dhe kjo qasje nuk kishte si mos të sillte golin e dytë që erdhi në minutën e 28-të. Çinari lëvizi bukur në krahun e djathtë, para se të harkojë saktë në zonë drejt Milevit. Sulmuesi bullgar me goditje me kokë paraboloi portierin kundërshtar rezultat final të pjesës së parë 2:0 edhe pse kuqezinjtë kishin edhe disa tentime tjera për gol të tretë me Totren dhe Shalën.
Me epërsi prej dy golave në fraksionin e dytë kuqezinjtë luajtën mençur, duke mos shpenzuar shumë energji dhe më shumë menaxhonin lojën, ndërsa edhe në momentet kur Rabotniçki kishte posedimin e topit, rrugët drejt portës së Taleskit ishin të mbyllura dhe nuk kishte asnjë rrezik për të pranuar gol. Trajneri Osmani me zëvendësime freskoi ekipin, derisa në minutën e 82-të pas një topi të rrëmbyer para zonës kundërshtare, Mustafa Mujezinoviç realizoi për 3:0. Në momentet e fundit të ndeshjes Rabotniçki gjeti golin e nderit me anë të Rusheviqit, për rezultat final 3:1.
Ndeshja e radhës
Fundjavën e ardhshme në program është xhiroja e 23-të në LPFMV, dhe kuqezinjtë do të presin në Tetovë skuadrën e Akademia Pandevit.
Shkëndija-Akademia Pandev 12.03.2023