Shkëndija ndalet me barazim 1:1 nga Makedonija Gj.P. në xhiron e 20-të në LPFM, por ruan distancën prej 8 pikëve para vendit të dytë që tashmë mbahet nga Akademia Pandev. Të përzgjedhurit e Qatip Osmanit nisën mirë ndeshjen dhe Omar Imeri sjell avantazh 1:0 pas vetëm pesë minutave lojë. Starti paralajmëroi fitore të lehtë, mirëpo në vazhdim gjërat nuk shkuan në kahjen e duhur edhe pse Shkëndija ishte më dominuese në terren. Pas disa rasteve të humbura nga tanët, vendasit gjejnë barazimin në minutën e 58-të me anë të Robsonit nga goditja e lirë. Shkëndija provoi të kthejë epërsinë, mirëpo nuk mundi të bëjë më shumë në terrenin e papërshtatshëm për lojë dhe përballë një kundërshtari destruktiv. Gjithsesi, edhe vetëm një pikë nga ky duel na mban 8 pikë larg vendit të dytë, me vëmendjen që tashmë kthehet ka sfida e rradhës fundjavën e ardhshme në Tetovë kundër Bellasicës.
PJESA E PARË
Ndeshja nuk mund të kishte fillim në të mirë pasi gjetëm epërsinë që në minutën e pestë. Omar Imeri pranoi topin në të majtë, lëviz bukur para zonës dhe pasi krijon hapsirë godet saktë me të djathtën në këndin më të afërt të portës së Makedonija Gj.P.. Shkëndija vazhdoi të kontrollojë lojën por kansoja erdhi nga vendasit kur Lima godet me kokë skaj portës pasi pranoi harkim nga gjuajtja e lirë në minutën e 11-të. Në anën tjetër dy tentime sjell Samir Fazli, fillimisht skaj portës, ndërsa më vonë portieri Jovanovski kontrolloi të majtën e tij. Në minutën e 17-të kapiteni Alimi lëshon një predhë të fortë, por pa mundur të gjejë kuadrantin. Pasuan minuta të qetë me Shkëndijën që kryesisht kontrollonte topin, ndërsa nxitjet do të ktheheshin në minutën e 34-t kur Zahov kontrollon goditjen e Bilallit. Deri në mbyllje të pjesës së parë u kanosëm edhe në dy tre raste, mirëpo pa mundur të ndryshojmë rezultatin.
PJESA E DYTË
Fraksioni i dytë nisi me nga një mundësi për të dyja palët. Fillimisht Bozhinovski gjuajti mbizm portë, ndërsa të njejtin epilog pati në anën tjetër tentimi i Agim Ibraimit. Shkëndija ngadalë vendosi autoritet në terren dhe i’u afrua golit të dytë pas aksionit të Imerit, që megjithatë nuk godet si duhet. Agim Ibraimi në minutën e 57-të nuk gjeti kuadrantin nga gjuajtja e lirë, ndërsa pak sekonda më vonë erdhi ndëshkimi. Robson godet fortë nga gjuajta e lirë, ndërsa topi pasi përplaset në shtyllë përfundon në rrjetë për barazim 1:1. I pakënaqur me rezultatin trajneri Osmani përforcoi repartin ofensiv me inkuadrimin e Nafiut dhe Junior, mirëpo vendasit për minuta të tërë zvarisnin lojën me faula dhe shtrirje në terren. Në kushte të tilla deri në fund nuk pati ndryshim, kështu që barazimi 1:1 solli nga një pikë për dy skuadrat.
MAKEDONIJA GJ.P.-SHKËNDIJA 1:1 (0:1)
Stadiumi në Gjorçe Petrov të Shkupit
Shikues: 500
Arbitër: Marjan Eckoski
Golashënues: Robson 58′ (Makedonija Gj.P.), ndërsa Imeri 5′ (Shkëndija)
Kartona të verdhë: Da Silva dhe Filipovski (Makedonija Gj.P.)
MAKEDONIJA GJ.P.: Jovanovski, Junior, Da Silva (Lukas 78′), Mishevski, Bozhinovski, Stejpanoviq (Filipivski 60′), Robson, Kirovski, Pecov, Bilalli (Ademi 88′), Tanturovski.
Trajner: Bobi Stojkoski
SHKËNDIJA: Zahov, Murati, Musliu, Sadriu, Mici, Totre, Alimi (c), A. Ibraimi, Emini (Shefiti 83′), Imeri (Junior 72′), Fazli (Nafiu 72′).
Trajner: Qatip Osmani