Transferta e xhiros së 30-të në LPFM me Akademia Pandevin në Turnovë ka sjellë barazim 2:2 për Shkëndijën. Junior e Ibraimi sollën epërsi 0:2 në pjesën e parë, ndërsa vendasit barazuan në të dytën me anë të Baldovalievit dhe Atanasovit nga penaltia.
Akademia Pandev priti kampionët e ri me buqet me lule, ndërsa me të filluar ndeshja tentuan të tregojnë autoritet në fushë duke organizuar disa sulme, ndërsa kansojen më serioze e kishin në minutën e 8-të kur goditja e Baldovalievit shkoi skaj portës. Këtu ishte fundi i imazheve që shihnin vendasit në sulm, pasi kuqezinjtë konsolidohen shpejtë dhe sollën dominim që rezultoi me raste dhe dy gola të shpejtë. Në minutën e 16-të aksion perfekt i Shkëndijës me Ibraimin që harkon në zonë, ndërsa Junior me kokë shënon për 0:1. Vetëm tre minuta më vonë vjen goli i dytë. Fillimisht e djathta e Eminit qëllon traversën dhe kthehet në fushë, ndërsa në vazhdim Ibraimi dyfishon rezultatin (0:2). Përgjigjen vendasit nga gjuajtja e lirë në minutën e 21, mirëpo Balldovaliev nuk gjen portën. Shkëndija dominonte në terren dhe vazhdimisht ishte para zonës kundërshtare, kurse pas gjysmë ore lojë u duk se erdhi goli i tretë kur e djathta e Juniorit ndalet në traversë, e në vazhdim arbitrat vlerësuan se topi nuk kishte kaluar vijën fatale. Kuqezinjtë humbën edhe një mundësi për 3:0, ndërsa në çastet e fundit të pjesës së parë Akademia Pandev kishte rastin më të mirë për gol. Fillimisht e djathta e Atanasovit nga gjuajtja e lirë ndalet në shtyllën e Rexhepit, ndërsa në vazhdim Adili shpëton golin pas tentimit të Milovanoviçit. Pjesa e dytë nisi me një të djathtë të fortë të Ibraimit që shkoi pak mbi portë, ndërsa pak më vonë ndalet me offside të dyshimtë Emini. Në minutën e 51 tentimi me kokë i Radeskit ndalet në traversë. Kur u humbë shumë mundësi për të mbyllur ndeshjen, vendasve u mjaftoi një gol për të ndezur shpresat për të shmangur humbjen. Baldovaliev në minutën e 53-të me kokë realizon për 1:2. Ky moment sikur ndryshoi edhe kriteriumin e arbitrave që krijuan tension me vendimet e tyre, ndërsa në minutën e 63-të një start i Cuculit ndaj Baldovalievit vlerësohet i muaftueshëm për penalti. Atanasov godet saktë nga pika e bardhë për barazim 2:2. Me nervozën e vazhdueshme nga referimi Shkëndija kërkonte të rikthejë epërsinë, mirëpo Junior dhe Ibraimi në dy raste nuk mundën të shënojnë. Në minutën e 84-t Radeski gjen rrjetën, mirëpo arbitrat e anulojnë të njejtin për pozitë jashtëloje. Fundi i ndeshjes dha nga një pikë për dy ekipet, ndërsa kuqezinjtë edhe me barazim zgjerojnë epërsinë në kreun e tabelës dhe tani kanë 27-të pikë më shumë se ekipi i vendit të dytë.
AKADEMIA PANDEV-SHKËNDIJA 2:2 (0:2)
Stadiumi ‘Kukush’ në Turnovë
Shikues: 500
Arbitër: Stefan Stojçevski
Arbitra anësorë: Daniel Vasilevski dhe Sashe Toshevski
Delegat: Mijalçe Maxhunarov
Golashënues: Baldovaliev 53′ dhe Atanasov pen. 65′ (A. Pandev), ndërsa Junior 16 dhe Ibraimi 19′ (Shkëndija)
Kartona të verdhë: Çeshmexhiev, Balldovaliev dhe Iliev (A. Pandev), ndërsa Adili, Radeski, Junior dhe Alimi (Shkëndija).
Karton i kuq: /
AK. PANDEV: Istatov, Atanaskoski, Dimov, Iliev, Ivanov, Stoilov (Doriev 46′), Atanasov, Milovanoviç (Pandev 46′), Grifoni, Baldovaliev (Krstovski 84′), Çeshmexhiev.
Trajner: Jugosllav Trençovski
SHKËNDIJA: Rexhepi, Alimi, Cuculi, Ibraimi, Totre (Fazllagiç 61′), Radeski, Murati, Junior, Emini (Shefiti 79′), Adili, Todorovski (Musliu 84′).
Trajner: Qatip Osmani