Shala dhe Çinari na japin fitore përballë Skopjes, duke shkuar me tre pikë në pauzën dy javore të kampionatit shkaku i ndeshjeve ndërkombëtare.
Detajet e ndeshjes:
SKOPJE-SHKËNDIJA 0:2 (0:1)
Stadiumi në Autokomandë të Shkupit
Golashënues: Shala 22’ dhe Çinari 79’ (Shkëndija)
Arbitër: Aleksandar Stavrev (Shkup)
SKOPJE: Efremov, Ignatov, Omeragiq (Hajdari 66’), Bozhinovski, Çurlinov, James (Nastevski 66’), Najdoski, Rashid, Todorov (Peev 84’), Moukoko, Duranski (c).
Trajner: Mirsad Jonuz
SHKËNDIJA: Taleski, Maksimov (Cuculi 55’), Murati, Bejtullai, Cake (Rexhepi 85’), Qaka, Totre, Çinari, Hasani (c), Shala, Milev (Dita 72’).
Trajner: Qatip Osmani
Ndeshja:
Shkëndija menaxhoi të del me tre pikë në një terren të vështirë te Skopje, pasi Shala e Çinari me nga një gol në secilën pjesë na sollën fitore 2:0 në kuadër të xhiros së 24-t në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë.
Loja nisi e qetë, me disa gjysmëraste për dy palën në 20 minutat e para me Çinarin që nga gjuajtja e lirë nuk gjeti kuadratin. Shkëndija ishte më e qartë dhe me koncentrim priti mundësinë për të goditur dhe në minutën e 22-të Cake ndërpret një kundërsulm të vendasve dhe inspiron aksion të Shkëndijës, ndërsa Shala pasi krijon hapsirë me një të djathtë të fortë dhe precize shënon super gol për epërsi 1:0. Pak më vonë pas një gjuajtje të lirë të vendasve të bllokuar nga tanët, Hasani fiton topin në mesfushë dhe udhëheq kundërsulmin, mirëpo pas kombinimit me Shalën, kapiteni vonohet në reagim dhe goditja e tij devijohet në këndore. Në vazhdim pas harkimit nga këndi godet bukur me kokë Bejtullai, mirëpo me super intervenim në portë shpëton Efremov. Kuqezinjtë vazhduan të kërkojnë golin e dytë dhe dy tentime u shfaq Milev kur në minutën e 33-të goditja ishte qendrore dhe nuk shqetësoi Efremovin, ndërsa 6 minuta më vonë e djathta e tij e fortë shkoi mbi portë. Katër minuta para fundit vendasit u kanosën me anë të Todorovit, por i sigurtë në portë shfaqet Taleski.
Çinari solli kanosjen e parë serioze në pjesën e dytë, mirëpo e majta e fortë e tij nuk ishte precize. Paraprakisht mbetëm pa Maksimovin që u desh të braktisë lojën shkaku i dëmtimit dhe vendin e tij e zuri Cuculi. Pas një periudhe relativisht të qetë ku Shkëndija kontrollonte lojën, mirëpo pa ndonjë mundësi konkrete për gol, pranë dyfishimit të rezultatit shkuam në minutën e 77-të kur Shala udhëheq kundërsulmin dhe asiston në zonë për Hasanin, mirëpo kapiteni nuk arrin të realizojë nga një pozitë mjaft ideale. Gjithsesi goli i dytë do të vinte 120 sekonda më vonë kur Çinari me një të majtë precize realizon për 2:0 me golin e katërt zyrtar në fanellën e Shkëndijës. Skopje solli një tentim me anë të Rashid, mirëpo goditja qendrore nuk shqetësoi Taleskin. Të njejtin përfundim pati edhe e majta e Peev në minutën e 89-të.
Ndeshja e radhës
Pason pauza kampionale shkaku i ndeshjeve ndërkombëtare të ekipeve përfaqësuese, ndërsa në aksion kthehemi pas dy javëve kur në kuadër të xhiros së 25-të në LPFMV në Tetovë presim Pobedën e Prilepit.
Shkëndija-Pobeda 02.04.2023