Super goli i Çinarit nuk mjaftoi për rezultat pozitiv përballë Shkupit, pasi vendasit me dy gola përmbysën gjithçka, derisa Çinari humbi penalti për barazim.
Detajet e ndeshjes:
SHKUPI-SHKËNDIJA 2:1 (1:1)
Golashënues: Adetunxhi 27’ dhe Ilieski 78’, ndërsa Çinari 18’ (Shkëndija)
Arbitër: Aleksandar Stavrev (Shkup)
SHKUPI: Naumovski (c), Mladenovski, Alvarez, Adetunxhi (Margbelashvili 90’), Hamidi (Trapanovski 59’), Riçkov, Cephas, Timovski, Ackovski (Adem 70’), Diene, Ilieski.
Trajner: Xhihat Arsllan
SHKËNDIJA: Taleski, Cake, Cuculi (c), Çinari, Totre (Ramadani 82’), Maksimov, Doriev, Dita, Velija (Mujezinoviç 77’), Qaka (Hasani 82’), Milev (Shala 63’).
Trajner: Qatip Osmani
Ndeshja:
Dalim të mundur 2:1 përballë Shkupit në Çair, ku përpos epërsisë 1:0 me super golin e Çinarit, kemi humbur tjera mundësi për 2:0, derisa vendasit përmbysën gjithçka dhe morën tre pikët edhe pse me Çinarin humbëm penalti për barazim 2:2. Kështu dy xhiro para fundit përfundon gara për titull, pas Struga Trim&Lum edhe matematikisht siguron vendin e parë dhe fiton kampionatin 2022/2023.
Ndeshja nisi me matje të forcave dhe me një Shkëndijë të vendosur shumë mirë në terren, derisa me maturi dilnim para dhe në minutën e 17-të kaluam në epërsi 1:0 kur Çinari me super goditje gjen golin e 8-të sezonal. Vetëm pak më vonë tjetër mundësi për tanët kur Çinari u gjet në shans, por topi u ndal në fytyrën e portierit Naumovski, derisa në vazhdim Doriev bukur krijoi hapsirë për goditje, mirëpo topi u ndal në shtyllë. Në vend të epërsisë prej dy golave, në minutën e 27-të rezultati ishte i nivelizuar. Gabim i komplet mbrojtjes kuqezi dhe Adetunxhi nuk kthen dhuratë duke realizuar për 1:1. Deri në fund të pjesës së parë vendasit u kanosën me Ackovskin goditja e të cilit shkoi pranë portës, derisa në anën tjetër Naumovski kontrolloi tentimin e Çinarit.
Pjesa e dytë solli dominim të plotë të Shkëndijës, me Çinarin që ishte arma kryesore e Shkëndijës, derisa pas një ndërprerje super shans u shfaq për Cuculin, mirëpo mbrojtësi nuk arriti në kohë. Vendasit arritën të menaxhojnë sulmet e Shkëndijës dhe kur dukej se afrohemi golit të epërsisë që do të na linte në lojë për titullin kampion, Shkupi gjeti golin e dytë, sërish pas një lëshimi në mbrojtje. Alvarez harkoi nga gjuajtja e lirë, derisa mbrojtësi Ilieski nga afërisa me kokë shënon për 2:1 (78’). Titulli po na ikte nga duart dhe në fund kishim mundësi për barazim 2:2 me të cilin do të ruanim vendim e dytë, mirëpo goditjen e Çinarit nga penaltia me super pritje e ndali portieri Naumovski.
Ndeshja e radhës
Xhiroja e 32-të për kuqezinjtë sjell takim në mesjavë me Struga Trim&Lum në Tetovë.
Shkëndija-Struga Trim&Lum 10.05.2023