Përkundër 29 goditjeve drejt portës kundërshtare, prej të cilave 8 në kuadrat, Shkëndija nuk shkon përtej barazimit pa gola me Tikveshin.
Detajet e ndeshjes:
SHKËNDIJA – TIKVESHI 0:0
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Golashënues: /
Arbitër: Marjan Stojanovski (Kërçovë)
SHKËNDIJA: Zahov, Neziri, Cuculi, Bejtullai (c), Murati (Nafiu 65’) R. Ramadani (F. Ramadani 82’), Dita (Nazifi 82’), Doriev, Shala, Elezi (Hasani 65), Stojanovski.
Trajner: Qatip Osmani
TIKVESHI: Davkov, Kostov, Mirkoviç (Spahiu 46’), Naumçevski, Gjurkovski, Donçev, Temelkov (Stojkov 61’), Varellovski, Ngoba (Mishov 83’), Hristov, Millovanoviq (Tasev 83’).
Trajner: Gjorgji Mojsov
Ndeshja
Xhiroja e 16-të në Ligën e Parë të futbollit në Maqedoninë e Veriut solli barazimin e 7-të të Shkëndijës në këtë kampanjë. Dominimi i madh i kuqezinjëve në shanse e posedim të topit nuk mjaftoi, pasi super performansë tregoi portieri kundërshtar që ishte më meritori për barazimin 0:0. Shkëndija kishte mbi 62% të posedimit të topit, 10 rivënie këndore, shumë sulme dhe 29 goditje drejt portës kundërshtare, prej të cilave 8 në kuadrat nuk mjaftuan për gol dhe fitore.
Trajneri Osmani ndeshjen e nisi me vendosje pak më ndryshe nga sistemi i zakonshëm 4-2-3-1, pasi kësaj rradhe kishim rritur forcën sulmuese me Elezin e Stojanovskin më të avansuan në rreshtimin 4-4-2. Kapiteni Hasani e Cake u ndalën në pankinë, pasi kishin pasur shqetësime me lëndime.
Shkëndija sulmonte dhe krijonte, por në momente mrekulli në portë bënte Davkov. Bejtullai në risa raste tentoi me goditje nga distanca, Doriev kishte tre tentime serioze, ndërsa portieri mysafir bëri mrekullinë në minutën e 27-të kur me refleks të çuditshëm ndali tentimin e Stojanovskit, pasi paraprakisht ishte bllokuar tentimi i Elezit. Super goditje solli edhe Doriev, që provoi ashpër me të majtën, mirëpo nuk mposhtej asesi.
Në pauzë shkuam pa gola, ndërsa edhe në vazhdim imazhet në fushë ishin të njejta. Shkëndija sulmonte dhe krijonte shansi, por goli asesi të vinte. Mundësinë më të mirë e kishte Hasani (i inkuadruar në pjesën e dytë) në mes të fraksionit të dytë, por Davkov sërisht intervenon saktë dhe shpëton portën e tij. Fare pranë epërsisë shkuam në minutën e 89-të kur një harkim në zonë u prit mirë me kokë nga Nazifi, por goditja e tij u ndal në shtyllë, ndërsa në vazhdim e majta e Hasanit nuk ishte precize. Në minutën e 4 të kohës shtesë kishim goditje dënimi para zonës, por kapiteni Hasani nuk arriti të rezikojë, pas çka ndeshja u mbyll me rezultatin e fillimit.
Ndeshja e radhës
Shkëndija ndeshjen e rradhës e luan të dielën në Shkup, kur luajmë me Makedonija Gj.P..
Makedonija Gj. P.-Shkëndija 04.12.2022