Shkëlqen Shkëndija dhe mposht 4:1 Tikveshin. Dy herë Çinari, Cake e Milev shënuan për triumf bindës të kuqezinjëve.
Detajet e ndeshjes:
SHKËNDIJA-TIKVESHI 4:1 (1:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Golashënues: Milev 43’, Cake 65’ dhe Çinari 70’ e 90’+3 (Shkëndija), ndërsa Varelovski 75’ (Tikveshi)
Arbitër: Igor Ivanov (Veles)
SHKËNDIJA: Taleski, Bejtullai, Cake, Çinari, Totre, Hasani (c) (Doriev 62’), Maksimov (Dita 46’), Shala (Mujezinoviç 75’), Velija (Rexhepi 90’), Qaka, Milev (Jakupi 90’)
Trajner: Qatip Osmani
TIKVESHI: Dimovski, Naumçeski, Tasev (Milovanoviq 54’), Spahiu (Ivanovski 54’, (Kostadinov 80’)), Lazarov, Cubara, Karçeski, Donçev, Varelovski, Braga (Mirkoviç 69’), Hristov.
Trajner: Gjorgji Mojsov
Ndeshja:
Xhiroja e 27-të e Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë solli fitoren e 13-të sezonale të Shkëndijës që mund me shifrat bindëse 4:1 Tikveshin. Dy herë Çinari, Cake e Milev shënuan golat për fitoren e 5-të të njëpasnjëshme të kuqezinjëve, apo të gjashtën në shtatë ndeshjet e fundit.
Shkëndija vuri dominim në fushë që në start edhe pse goditjen e parë në kuadrat e sollën miqtë që detyruan Takeskin të prodhojë një pritje të bukur. Kuqezinjtë vazhduan të ushtrojnë presion, por për ndryshim duhej të pritet dy minuta para pauzës kur Milev tregohet i gjindshëm dhe drejton me pak fat topin në rrjetë në momentet kur lojtarët kuqezi protestonin për një prekje të topit me dorë nga miqtë.
1:0 ishte rezultati i pjesës së parë, ndërsa në të dytën mysafirët rezistuan deri në minutën e 65-të kur kuqezinjtë sollën të dytin. Shala harkoi në zonë ku mbrojtësi Cake me shumë stil qetësoi topin me gjoks para se me një të djathtë precize çon shifrat në 2:0. Paraprakisht mbetëm pa kapitenin Hasani që duhej të braktisë lojën pas një starti të ashpër të kundërshtarit. Goli i bukur i qendërmbrojtësit Cake si duket “motivoi” Çinarin për të treguar se edhe sulmuesit dinë të bëjnë gola të bukur. Në fakt ajo që prodhoi Çinari në minutën e 70-të ishte kryevepër pasi me një të majtë të bukur paraboloi portierij për 3:0. Pesë minuta më vonë pas një këndoreje Varelovski shënoi për 3:1, derisa për rezultat final 4:1 u përkujdes Çinari që në minutën e tretë të kohës shtesë shënoi golin e dytë personal.
Ndeshja e radhës
Xhiroja e 28-të për kuqezinjtë sjell transfertën me Bregallnicën në Shtip.
Bregallnica-Shkëndija 23.04.2023