Jemi ndalur me barazim pa gola nga Sileksi në Tetovë në duelin e xhiros së 29-të të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë.
Detajet e ndeshjes:
SHKËNDIJA-SILEKSI 0:0 (0:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Golashënues: /
Arbitër: Aleksandar Stavrev (Shkup)
SHKËNDIJA: Taleski, Bejtullai, Cake, Çinari, Totre (Qaka 67’), Hasani (c), Doriev, Maksimov (Shala 67’), Dita, Velija (Mujezinoviç 83’), Milev.
Trajner: Qatip Osmani
SILEKSI: Bozhinovski, Rajkov, Manasievski (Millosavleviq 67’), Lamallari, Ristovski (Risteski 67’), Turçin (Ramani 67’), Serafimovski, Angjeleski, Gjorgjievski (Kataniq 72’), Eftimov (Janevski 90’+2), Nikoliq.
Trajner: Gorazd Mihajlov
Ndeshja:
Pas gjashtë fitoreve të njëpasnjëshme në kampionat jemi ndalur me barazim pa gola me Sileksin në duelin e xhiros së 29-të, duke bërë një hap mbrapa në luftën për titullin e kampionit.
Pasi seria e gjatë e sukseseve na afroi 3 pikë pranë vendit të parë, kuqezinjtë u vërsulën që në fillim të kërkojnë golin e epërsisë përballë Sileksit, që në Tetovë kishte ardhur të mbrohet. Doriev solli kanosjen e parë që u devijua në këndore, derisa në anën tjetër Taleski kontrolloi goditjen e Angjeleskit. Shkëndija zmadhoi presionin dhe disa herë shkuam pranë portës kundërshtare, mirëpo Bejtullai, Milev e Doriev në 4-5 mundësi nuk arritën të sjellin ndryshimin e dëshiruar.
Edhe pjesa e dytë solli një Shkëndijë ofenzive e insistuese përballë një Sileksi të mbyllur mbrapa dhe që mbrohej me gjithë futbollistët. Kanosja e parë në vazhdim erdhi në minutën e 58-të kur goditja e Ditës me kokë shkoi mbi portë, derisa dy minuta më vonë Doriev e Milev nuk arritën të realizojnë nga një mundësi e dyfishtë. Hasani, Qaka, Cake, Dita dhe dy herë Çinari me goditje nga distanca provuan të shpërthejnë bunkerin e mysafirëve që arritën të mbrohen dhe të dalin me një pikë nga ky duel.
Ndeshja e radhës
Xhiroja e 30-të për kuqezinjtë sjell takim në fundjavë me Makedonija Gj.P. në Tetovë.
Shkëndija-Makedonija Gj.P. 29.04.2023