Fitore impresive e Shkëndijës ndaj Rabotniçkit në Shkup. Përmbysje dhe dy realizime me dy futbollistë më pak në terren, pas daljeve me të kuq të Hasanit dhe Muratit. Shala, Velija dhe dy herë Stojanovski sollën triumfin bindës.
Detajet e ndeshjes:
RABOTNIÇKI – SHKËNDIJA 2:4 (1:1)
Stadiumi “Todor Proeski” në Shkup
Golashënues: Maksimov 7’ dhe Janakievski 66’ (Rabotniçki), ndërsa Shala 23’, Stojanovski 49’ e 85’ dhe Velija 73’ (Shkëndija)
Karton i kuq: Hasani 68’ dhe Murati 77’ (Shkëndija)
Arbitër: Stojançe Stojanov (Shtip)
RABOTNIÇKI: Aleksovski, Gjuriq (Miserdovski 26’), Kirovski (Stankovski 80’), Velkovski (c), Alimi (Angelov 74’), Rusheviq, Sharkoski, Alomeroviq, Marcelin (Janakievski 46’), Maksimov, Todorovski (Manojlov 80’).
Trajner: Milan Ilievski
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai, Cake, Elezi (Stojanovski 46’), Hasani (c), Murati, Velija (Cuculi 89’), Shala, Gonçalves (Neziri 78’), R. Ramadani, F. Ramadani (Bilalli 46’).
Trajner: Qatip Osmani
Ndeshja:
Performansë e mrekullueshme e Shkëndijës që del me tre pikë nga transferta me Rabotniçkin në një ndeshje ku kishte gjithçka. Gola, përmbysje, shanse të humbura e kartona të kuq, të gjitha numerikisht në anën e Shkëndijës që shënoi 4 herë, humbi shumë raste e u ndëshkua me dy të kuq.
Shkëndija u pa e vendosur në sulm që në start dhe kërcnimin e parë e sollëm me Shalën goditja e të cilit u kontrollua nga Aleksovski. Vendosja ofenzive lente hapsira prapa dhe fatkeqësisht do të ndëshkoheshim në daljen e parë të vendasve përpara, pasi Maksimov shmang pozicionin jashtëloje dhe pasi del para Zahovit realizon saktë për epërsi 1:0 të Rabotniçkit. Negativa nuk ndali sulmet e tanëve dhe në minutën e 20-të Vagner shpërdoron asistin e Hasanit dhe godet skaj portës. Ky rast ishte paralajmërim i barazimit që do të vinte në minutën e 23-të kur Reshat Ramadani u tregua insistues në një sulm nga e djathta, para se Hasani të asistojë drejt Shalës, ndërsa ky i fundit me një super goditje shënon gol të bukur për 1:1. Barazimi u dha krahë kuqezinjëve që vazhduan me sulme në kërkim të golit të dytë. Hasani e Shala sollën aksion të bukur pak më vonë, por goditja e Florent Ramadanit ishte qendrore në duart e Aleksovskit. Në anën tjetër Rusheviq doli i vetëm para Zahovit, mirëpo fatmirësisht godet skaj portës. Në vazhdim Shkëndija humbi të tjera mundësi me Vagnerin, Shalën dhe Bejtullain, ndërsa vendasit kishin një tentim me Alimin, që nuk gjeti kuadratin.
Pasqyra e pjesës së parë ishte garanci për lojë efikase në të dytën, posaçërisht pasi trajneri Osmani përforcoi sulmin me Stojanovskin dhe Bilalli që hyri në vend të Florent Ramadanit. Efekti erdhi shpejt, pasi në minutën e 49-të Hasani e Shala zhvillojnë aksion të bukur nga e majta, ndërsa në zonë Stojanovski lëviz bukur dhe në rrotullim realizon për 1:2. Rabotniçki u pa i dorëzuar nga përmbysja e kuqezinjëve, ndërsa në fushë lojtarët tanë ishin dominues dhe patjetër duhej këtë ta kurorëzonin me gol të tretë në rrjetën vendase për mbyllje të llogarive. Dy herë Stojanovski bëri lëvizje të gabuara kur në vend të asistit shfaqej egoist dhe kjo do të ndëshkohej në minutën e 66-të kur Janakievski barazon në 2:2 pasi paraprakisht gjuajtja e lirë e Velkovskit u ndal në shtyllë. Gjërat shkuan edhe më keq kur në minutën e 68-të Hasani kalon portierin vendas dhe bie në tokë në momentet që menduam se gjetëm golin e tretë, por mbetëm me një lojtar më pak pasi kapiteni u largua nga loja me karton të kuq pas kartonit të dytë të verdhë. Gjithsesi skuadra do të tregonte karakter kur në minutën e 73-të me Bashkim Velijan avansuam 3:2. Në anën tjetër karton i dytë i kuq për tanët që mbesin pa Muratin që ndëshkohet pas një starti kur vendasit ishin në aksion premtues. Me dy lojtarë më pak 13 minuta nga fundi u duk sfidë super e vështirë për Shkëndijën, por skuadra tregoi super karakter kur në minutën e 85-të me Stojanovskin realizojmë golin e katërt për fitore bindës 4:2.
Ndeshja e radhës
Pason pauza kampionale për shkak të ndeshjes miqësore Arabia Saudite-Maqedoni e Veriut (22.10.2022). Kështu ndeshja e rradhës e kuqezinjëve do të luhet pas 11 ditëve në Shkup kundër Skopjes.
Skopje-Shkëndija 26.10.2022