Doriev me dy gola dhe një realizim i Hasanit na japin fitore 3:1 në ndeshjen e fundit për vitin 2022.
Detajet e ndeshjes:
MAKEDONIJA GJ.P. – SHKËNDIJA 1:3 (0:1)
Stadiumi në Gjorçe Petrov të Shkupit
Golashënues: Skenderi 53’ (Makedonija Gj.P.), ndërsa Doriev 19’ e 85’ dhe Hasani 51’ (Shkëndija)
Arbitër: Jovan Kaçevski (Strugë)
MAKEDONIJA GJ.P.: Stevkovski, Zuka, Mishevski (c), Liçina, Da Silva (Mena 84’), Stoilov (Gjurgjeviq 79’), Vosha (Abazi 65’), Llazareviq (Ilievski 65’), Skenderi (Aleksovski 79’), Samake, Stojkoski.
Trajner: Muharrem Bajrami
SHKËNDIJA: Zahov, Murati, Bejtullai, Cuculi, Velija, Dita, R. Ramadani, Shala (Nafiu 27’), Hasani (c) (Kaba 90’+2), Doriev, Elezi (F. Ramadani 84’).
Trajner: Qatip Osmani
Ndeshja:
Shkëndija e mbyll me fitore 3:1 gjysmësezonit vjeshtor në Ligën e Parë të Futbollit vendor, duke triumfuar sot në transfertën me Makedonija Gj.P.. Kuqezinjtë xhiron e ardhshme (e 18-ta) janë të lirë, kështu që takimi i sotëm ishte i fundit për vitin 2022. Kjo bëri që skuadra të dukej shumë e karrikuar dhe me dominim të plotë mori tre pikët. Dy gola të Dorievit, një realizim i Hasanit, paraqitje model e gjithë ekipit në pjesën e dytë, asite të vëllezërve Ramadani, lëndim i Shalës dhe debutim për të riun Lorik Kaba janë momentet që mund ta përshkruajnë duelin e sotëm.
Ndeshja nisi me mundësi për Elezin në minutat e para, derisa ndryshimi do të vinte në minutën e 19-të, kur Hasani e Shala prodhojnë aksion të bukur, ndërsa Doriev me goditje precize na sjell epërsi 1:0. Sulmuesi anësorë u kanos rrezikshëm pak më vonë kur goditja e tij shkoi skaj portës, ndërsa vendasit shkuan fare pranë barazimit në minutën e fundit të pjesës së parë kur goditja e Samakes devijohet në murin e gjallë dhe shkon skaj shtyllë së Zahovit të mposhtur. Paraprakisht nga minuta e 27-të mbetëm pa Shalën që duhej të lëshojë lojën pas një starti të ashpër të Stoilovit.
Fraksioni i dytë nisi me super mundësi për vendasit, por Zahov me intervenim bravuroz ndal të majtën e Skenderit. Ky rast ishte paralajmërim se pjesa e dytë do të jetë shumë m cilësore dhe në minutën e 51-të Shkëndija sjell golin e dytë. Reshat Ramadani tërheq kundërsulm, asiston drejt Hasanit, ndërsa kapiteni në tentimin e dytë realizon për 2:0. Vetëm pak zgjati epërsia prej dy golave e kuqezinjëve pasi në anën tjetër Da Silva godet shtyllën ndërsa topi i kthyer shfrytëzohet nga Skenderi që ul shifrat në 1:2. Vetëm tre minuta më vonë (55’) Skenderi shkon pranë barazimit, kur e majta e tij kalon skaj shtyllës pingule. Shtylla do të shfaqej aleate e vendasve kur e majta e fortë e Elezit ndalet në kornizën e portës (58’), ndërsa i njejti futbollist goditi mbi portë (63’) pas aksionit të bukur të Dorievit. Goli i tretë dhe i qetësisë për Shkëndijën do të vinte në minutën e 84-t kur Florent Ramadani me super diagonale shërben për Dorievin, ndërsa ky i fundit lëviz shkëlqyeshëm në zonë dhe me super të djathtë fikson shifrat përfundimtare 3:1. Doriev deri në fund kishte edhe dy super mundësi, fillimisht në minutën e 88-të kur kombinon me Nafiun dhe goditja e tij ndalet nga Stevkovski, ndërsa në kohën shtesë u gjet i vetmuar para portierit vendas, mirëpo vendosi të shërbente për të sapo inkuadruarin në lojë, Lorik Kaba, me këtë të fundit që nën emicionet e debutimit nuk arriti të shënojë.
Ndeshja e radhës
Fundjavën e ardhshme luhet xhiroja e fundit dhe e 18-të në LPFMV, mirëpo duke qenë se Shkëndija është e lirë, kuqezinjtë praktikisht kanë mbyllur garat për vitin 2022. Gjysmësezoni pranveror është caktuar të fillojë më 19 shkurt 2023, kur në program do të kemi transfertën me Shkupin.
Shkupi-Shkëndija 19.02.2023