Një gol i Cakes na jep tre pikë nga transferta në Shtip, me kuqezinjtë që regjistrojnë fitoren e 6 me radhë.
Detajet e ndeshjes:
BREGALLNICA-SHKËNDIJA 0:1 (0:0)
Stadiumi i qytetit në Shtip
Golashënues: Cake 64’ (Shkëndija)Arbitër: Stojançe Trpçevski (Kavadar)
BREGALLNICA: Shqekiq, Mojsov (c), Ristevski, Gjorgjiev (M. Dimitrievski 79’), Nikollov, Dodev, Andonov, Altiparmakovski (Xhokiq 79’), Lvaliva, Siljanovski, Kalpaçki (M. Dimitrievski 56’).Trajner: Goran Zdravkov
SHKËNDIJA: Taleski, Bejtullai, Cake, Çinari, Totre, Hasani (c) (Ramadani 90’+3), Doriev (Shala 76’), Maksimov, Dita, Velija, Milev (Cuculi 88’).
Trajner: Qatip Osmani
Ndeshja:
Vazhdon marshi i fitoreve të kuqezinjëve që koleksionojnë triumfin e gjashtë të njëpasnjëshëm në kampionat. Klisman Cake në pjesën e dytë shënoi me kokë për triumf 1:0 në fushë të Bregallnicës në Shtip, për të çuar skuadrën në 3 pikë pranë vendit të parë.
Fillimi i ndeshjes solli lojë të balansuar me Shkëndijën që si kalonin minutat vendosi autoritet në terren dhe vazhdimisht ishte e vendosur në gjysmëfushën kundërshtare, derisa për pak nuk avansuam në shansin e parë serioz kur goditja e Dorievit në minutën e 24-t u ndal në kornizën e portës. Pak më vonë Velija provoi të djathtën, por topi u devijua mjaftueshëm për të shkuar skaj portës në këndore. Vendasit ishin të shtypur në pjesën e tyre dhe shansin për të rezikuar e kërkonin në kundërsulme. Dodev pas gjysmë ore lojë solli goditjen e parë në kuadratin e portës, por pa shqetësuar më seriozisht Taleskin e vendosur mirë. Tre minuta para pauzës vendasit shpëtuan mrekullisht kur e djathta e Çinarit u ndal në shtyllë pas një aksioni të kuqezinjëve, derisa për pak nuk u ndëshkuam kur në çastet e fundit të pjesës së parë Altiparmakovski goditi jashta portës nga një pozitë shumë ideale.
Starti i pjesës së dytë solli mundësi për vendasit, por fati ishte me tanët kur e djathta e Gjorgievit preku traun e portës dhe shkoi në fundore. Shkëndija shpejt ktheu imazhet e pjesës së parë dhe u vendos në gjysmëpjesën kundërshtare, derisa qasja e tillë nuk kishte si mos të sillte ndryshimin e kërkuar dhe merituar. Ishte minuta e 64-t kur Doriev shërben për Hasanin në zonë, derisa goditja vole e kapitenit devijohet me kokë në këndore nga një futbollist vendas. Pikërisht pas harkimit të Çinarit nga këndi gjetëm epërsinë kur Cake ‘ngulit’ topin me kokë në rrjetë. Në minutën e 82-të jemi dëmtuar me një pentalti të padhënë kur Milev ndalet me faul në zonë nga portieri vendas Shqekiq, mirëpo arbitri Trpçevski tregoi që loja të vazhdojë. Në minutat shtesë shkuam pranë golit të dytë, mirëpo Shqekiq ndal Shalën, pas çka arbitri tregoi fundin e ndeshjes.
Ndeshja e radhës
Xhiroja e 29-të për kuqezinjtë sjell takim në mesjavë me Sileksin në Tetovë.
Shkëndija-Sileksi 26.04.2023