Kthehen me tre pikë kuqezinjtë nga kryeqyteti, pasi korrën fitore të merituar me rezultatin e pastër 0:2 ndaj ekipit të Skopjes, në stadiumin në lagjen Autokomandë të Shkupit.
Seri e rasteve, qasje sulmuese, kontrollë e mirë mbi lojën dhe fitore me një gol atraktiv të brazilianit Mensalao në pjesën e parë, dhe një super gol të Shalës pas një aksioni individual të tij në pjesën e dytë.
Formacioni:
Shkëndija e filloi ndeshjen me formacionin me renditjen 3-4-2-1, me Jessie Djou në pozitën e qendërmbrojtësit, dhe Nezirin e Caken në vijën mbrojtëse. Njëjtë si në ndeshjen e kaluar, sulmin e përbënte triada Hasani, Doriev dhe Elezi. Ndërkaq si titullarë edhe në këtë ndeshje u paraqitën Manevski dhe Andre Mensalao.
XI: Zahov, Neziri-Jessie Djou-Cake, Shala-Mensalao-Dita-Manevski, Hasani (c)-Doriev, Elezi.
Përmbledhje:
Kuqezinjtë dhanë shkëndijëzat e para që nga fillimi i ndeshjes kur filluan të atakojnë në drejtim të portës së vendasve. Si rrjedhojë erdhi edhe goli i epërsisë në minutën e 11-të të ndeshjes.
Aksion i kuqezinjve nga krahu i djathtë, pastrojnë vendasit por vetëm deri te këmbët e Shalës që menjëherë asiston për brazilianin Mensalao i cili me një super goditje nga distanca e dërgon topin në këndin e sipërm të portës së vendasve (10’).
Manevski nga krahu i majtë harkon brenda zonës, topi vjen deri te Dorievi që godet në drejtim të portës. Goditja e Dorievit bllokohet nga një mbrojtës vendas dhe devijohet deri te Mensalao që pa hamendje gjuan me të parën por përsëri mbrojtja e vendasve shpëton portën (20’).
Doriev detyrohet të lëshojë fushën e lojës si pasojë e një lëndimi, ndërsa në vend të tij në fushën e gjelbër u inkuadrua Nafiu (27’).
Organizojnë kuqezinjtë aksion nga krahu i majtë nëpërmjet Shalës që pason deri te Elezi. Ky i fundit brenda zonës kombinon me Manevskin që e dërgon topin në qendër të zonës, por mbrojtësi i vendasve Zepatta e devijon topin në këndore (34’).
HT: Skopje 0:1 Shkëndija
Hasani kroson në zonë nga goditja e lirë, Cake dërgon topin në rrjetë por arbitri anësor sinjalizoi pozicion jashtë loje (53’).
Nafiu kombinon me Shalën brenda zonës, ky i fundit pason deri te Elezi që godet në drejtim të kuadratit por mbron portieri Efremov (57’).
Shkëndija dyfishon epërsinë pasi Shala bën një aksion individual, me shpejtësi avancon përpara, futet në zonë dhe me një goditje precize e dërgon topin në rrjetën kundërshtare (64’).
Andre Mensalao e lëshon lojën ndërsa në vend të tij inkuadrohet i riu Reshat Ramadani. Ndërkaq nga ndeshja largohet edhe Elezi, ndërsa vendin e tij e zuri Sindrit Guri (73’).
Goditje e lirë përpara 16-metërshit të skuadrës vendase. Hasani shkelmon topin në drejtim të kuadratit por topi shkon disa centimetra mbi traversë (80’).
Dy zëvendësimet e fundit te Shkëndija janë Hasani e Dita që largohen nga fusha e blertë, e në vend të tyre në lojë inkuadrohen Zani Nazifi dhe Florent Ramadani (89’).
FT: Skopje 0:2 Shkëndija
Stadiumi në lagjen Autokomandë në Shkup.
Golashënues për Shkëndijën: Mensalao 10’, Shala 64′.
SHKËNDIJA: Zahov, Cake, Neziri, Jessie Djou, Dita (F. Ramadani 89’), Mensalao (R. Ramadani 73’), Manevski, Hasani (Nazifi 89’), Shala, Doriev (Nafiu 27’), Elezi (Guri 73’).
Trajner: Bruno Akrapoviq.