MATCH PREVIEW | Xhiroja e 35: Renova – Shkëndija

No image

Një javë para fundit të sezonit aktual në LPFM derbi i Tetovës vendos përballë Renovën me Shkëndijën në një takim që nuk ndryshon asgjë në renditje. Duke parë se Shkëndija vuan dënimin për të luajtur pa publikë si vendas, fakti se ky rol tani i takon Renovës nënkupton se tifozët kanë mundësinë që ta ndjekin këtë përballje të dielën nga ora 16:30.

Rivalët e qytetit përballen mes veti në një takim që ka vetëm vlerën e prestigjit, pasi Renova nuk mund të kapë as Evropën, e as ka rrezik për mbijetesë, ndërsa në kushte kur lufta për titullin e kampionit është mbyllur Shkëndija me vendin e dytë ka siguruar Evropën. “Kuqezinjtë” tre ndeshjet e fundit si vendas kanë luajtur pa praninë e tifozëve shkaku i dënimit nga FFM (4 ndeshje pa publikë), ndërsa pasi tani vendase është Renova nënkuptohet se publiku tetovar do të ketë mundësi të jetë i pranishëm në tribuna për të parë për herë të fundit në këtë kampanjë dy ekipeve tetovare, pasi xhiron e ardhshme Shkëndija do presë Pelisterin pa shikues, kurse Renova do të luajë në transfertë. Edhe pse pikët nga kjo përballje nuk kanë kurfarë vlere për renditjen, Shkëndija kërkon të nderoje deri në fund kampionatin dhe trajneri Selimi kërkon impenjim dhe seriozitet maksimal nga futbollistët. Pritet sërish formacion i kombinuar, por kushdo që do paraqitet në formacion do të dijë se detyra në këtë ndeshje janë tre pikët. Kjo do të jetë përballja e katërt ndërmjet rivalëve të qytetit këtë sezon, ndërsa në tre herët paraprake u regjistruan dy barazime dhe një fitore e Shkëndijës. Brenda historisë janë përballur 33 herë, me “kuqezinjtë” që kanë bilans pozitiv, 15 fitore, 9 barazime dhe 9 disfata, me Shkëndijën që nuk humb në 7-të ndeshjet e fundit.

Trajneri Selimi pritet sërish të nxjerë në fushë formacion të kombinuar, për tu dhënë shans për të luajtur futbollistëve që kanë pasur minutazhë të kufizuar gjatë sezonit.
Takimi Renova-Shkëndija luhet të dielën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 16:30.