Kumtesë e z. Lazim Destani

No image

Pas takimit të mbrëmshëm në zyrat e klubit me kryesinë e KF Shkëndija, z. Lazim Destani del me kumtesë publike në profilin e tij zyrtar në rrjetin social në Facebook.

Në vazhdim ju sjellim kumtesën e plotë:

Të nderuar tifozë dhe dashamirë të Shkëndijës,

Klubi futbollistik Shkëndija, që tanimë është shndërruar në emblemë të qytetit tonë dhe krenari e shqiptarëve të Maqedonisë e më gjerë, vazhdon të jetë ëndrra e çdo tifozi. Të gjithë duam ta shohim atë në piedestal me rezultatet më të mira në nivel vendi e në arenën ndërkombëtare të futbollit.

Jo gjithmonë tifozët dhe mbarë publiku kanë qenë të kënaqur me rezultatet dhe arritjet e klubit të tyre të zemrës. Aq më tepër, pasi nuk ka munguar përkrahja e parezervë financiare dhe as mbështetja e përzemërt e publikut futbolldashës. Ju të gjithë, që i keni besuar sponsorit dhe kapaciteteve tona, me të drejtë keni pritur rezultate shumë më të larta. Po këto rezultate i kam pritur edhe unë duke e dhënë maksimumin që Shkëndija jonë e përbashkët të shkëlqejë në çdo pikëpamje, të jetë lider dhe ta bëjë krenar çdo tifoz të vetin. Nuk kemi kursyer fare duke përmbushur çdo kërkesë të stafit teknik, futbollistëve dhe administratës së klubit për të arritur te suksesi i dëshiruar e për t’i gëzuar tifozët shqiptarë dhe gjithë ata që i ndjekin me kënaqësi sukseset e Shkëndijës. Klubi i Futbollit Shkëndija, siç është thënë shumë herë, është një aset kombëtar që ka bërë histori dhe bart me vete sakrificën, krenarinë dhe nostalgjinë e gjeneratave që dhanë shumë për Shkëndijën për t’mos u shuar ky klub kurrë e për tu ngjitur gjithnjë lart e më lart.

Ishin pikërisht tifozët e shumtë, sidomos ‘Ballistët’ e rritur me ngjyrat e klubit kuqezi, ata që e bindën kompaninë tonë të marrë përsipër sponsorimin e klubit. Andaj, pa hezituar aspak, respektuam kërkesën dhe e bëmë realitet dëshirën aq entuziaste të tyre që ne si kompani të jemi sponsor të Shkëndijës.
Të dashur “Ballistë” dhe gjithë ju tifozë të Shkëndijës, njësoj si Ju edhe ne kemi pritur që ekipi ynë sot të ishte lider në tabelë e t’i kishte fituar të gjithë trofetë dhe të konkurronte në arenën ndërkombëtare. Fatkeqësisht sot ne si sponsor, dhe ju si tifozë e ndajmë zhgënjimin e thellë e të përbashkët. Humbjet janë të dyfishta, si nga mungesa e gëzimit dhe krenarisë ashtu dhe nga aspekti financiar. Për hir të së vërtetës, zhgënjimi i tifozëve është dhembja jonë sepse edhe ne vet përveç si sponsor jemi edhe tifozë të kahmotshëm të klubit dhe zhgënjimi i tifozerisë është ajo që na shqetëson dhe dhemb më së shumti. Por, një gjë është e sigurt, se ne si sponsor dhe ju si tifozë të flaktë e kemi bërë të pamundurën që të dalim triumfues.

Sot, unë ndodhem para një sfide dhe një pikëpyetje të madhe, – Çka më tej me Shkëndijën?!
Për dekada me radhë, udhëtimi ynë në rrugët e biznesit që po zhvillojmë anembanë botës, ka qenë përplot sfida e sakrifica por ka njohur vetëm suksese. Në parim, ne nuk jemi ndalur asnjëherë dhe para sfidave nuk jemi dorëzuar kurrë. Andaj, duke mos e pranuar dështimin si opcion, ne si sponsor të Shkëndijës duam me po këtë parim e përkushtim ta shikojmë edhe të ardhmen e klubit tonë të zemrës.

Vendimi ynë për tu përkujdesur për Shkëndijën ishte me qëllimin më fisnik, ishte thjeshtë një kontribut për sportin, futbolldashësit dhe për të gjithë ata që e kanë në zemër Shkëndijën e ngjyrave kuqezi, përfshirë gjithë historikun e lavdishëm të saj. Gjatë këtyre katër viteve që po e financojmë klubin, ne nuk kemi ndërhyrë në mënyrën e menaxhimit të brendshëm të klubit me qëllim që klubi të krijojë autonominë e menaxhimit profesional. Këtu mos harojmë që kryesia e klubit nuk është ajo që duhet ta bëjë lojën në fushë e të shënojë fitore por janë futbollistët, për të cilët nuk kemi kursyer aspak.
Sidoqoftë, sukseset kanë munguar dhe në një mënyrë, edhe ne po e ndiejmë peshën e përgjegjësisë. Andaj, kjo ndjenjë e pakëndshme po na shtyn drejt dilemës nëse duhet vazhduar më tej, apo si duhet bërë!

Fakti që klubi nuk arriti t’i gëzojë tifozët e shumtë dhe ‘Ballistët’ që me aq dëshirë dhe emocion i kanë pritur fitoret dhe sukseset e Shkëndijës, më brengos thellë dhe më shumë se gjithçka.
Mua më ka mbetur që këto ditë t’i bëj disa konsultime dhe pastaj të vendos rreth hapave të mëtejmë të veprimit tonë.“.