
Të mërkurën me fillim në orën 17:00 në Stadiumin e Qytetit në Strugë kuqezinjtë ndaj ekipit të Skopjes do të zhvillojnë ndeshjen e mbetur nga xhiroja e parë, e cila u shty për shkak të pjesëmarrjes së Shkëndijës në ndeshjet në garat evropiane.
Pas barazimit të dielën ndaj Sileksit, kuqezinjtë do të futen në fushën e gjelbër për të regjistruar fitoren e parë në sezonin e ri garues.
Shkëndija dhe Skopje në kuadër të ligës së parë gjatë historikut ndërmjet veti kanë zhvilluar gjithsej 10 ndeshje, nga të cilat kuqezinjtë kanë shënuar 7 fitore, ndërsa 3 përballje kanë përfunduar me barazim.
Hera e fundit që kuqezinjtë u përballën me Skopjen ishte ndeshja e muajit mars të këtij viti, kur në cilësinë e mysafirit Shkëndija fitoi me rezultatin 0:2, me golat që asokohe i shënuan Mensalao dhe Shala.
Detajet e ndeshjes:
E mërkurë, 17 gusht
Liga e Parë, ndeshje e mbetur nga xhiroja e parë
Stadiumi i Qytetit në Strugë
🆚 Skopje | ⏱ 17:00 | 📺 Shkëndija Channel Youtube
Opinioni:
Kostadin Zahov: “Pa marrë parasysh që nuk luajmë në terrenin vendas në Tetovë, ne e kemi rolin e favoritit në ndeshjen ndaj Skopjes dhe besoj se këtë edhe do ta dëshmojmë në ndeshjen e nesërme. Te skuadra ndjehet lodhja për shkak të orarit të ngjeshur pas ndeshjeve evropiane, por kjo nuk duhet të jetë pengesë që nesër të regjistrojmë fitoren e parë në këtë sezon”.
Arbitër kryesor i takimit do të jetë Marjan Stojanovski nga Kërçova, do t’i ndihmojnë Aleksandar Vasilevski nga Shkupi dhe Sllagjan Markoski nga Gostivari, ndërsa arbitër i katërt do të jetë Vlladimir Gjorgjievski nga Manastiri.
Të rejat në skuadër:
Për këtë ndeshje të gjithë lojtarët do të jenë në dispozicion të trajnerit Shaqiri.
Kundërshtari:
Skopje
Pozita momentale: Për Skopjen kjo do të jetë ndeshja e parë në sezonin e ri garues, pasi që në xhiron e dytë ishte skuadra e lirë e javës.
Ecuria: Sezonin e kaluar Skopje luajti ndeshjen e balotazhit për mbetje në Ligën e Parë dhe triumfoi ndaj Bellasicës me rezultatin 2:1, me çka e siguroi vendin për pjesëmarrje në Ligën e Parë.
🆚 Skopje | ⏱ 17:00 | 📺 Shkëndija Channel Youtube
