Kuqezinjtë fitojnë 3:1 Osijekun e Kroacisë

No image

Kuqezinjtë fitojnë 3:1 përballë ekipit kroat NK Osijek testin e luajtur në Kumberg të Austrisë. Kundërshtari avansoi pas pesë minutave lojë, mirëpo Shkëndija sjell përgjigje në vazhdim duke përmbysur gjithçka me golat e Eminit dhe dy herë Ibraimit.

Shkëndija mbyll me sukses testin e dytë të fazës përgatitore para paraqitjes në eliminatoret e Champions League, pasi sot në Kumberg të Austrisë shënoi fitore bindëse 3:1 përballë skuadrës kroate, NK Osijek. Kuqezinjtë shfaqën nivel të kënaqshëm duke dominuar në terren përballë një riveli kualitativ që sezonin e fundit u ndal në vendin e katërt të elitës së futbollit të Kroacisë. Gjithsesi starti foli për kundërshtarin që gjeti epërsinë pas vetëm pesë minutave lojë. Pas një harkimi Baraç me kokë shënon për epërsi të Osijekut. Shkëndija morri veten në vazhdim dhe i’u afrua barazimit në minutën e 21-të kur tentimi i Ibramit nga gjuajtja e lirë devijohet nga muri i gjallë në rivënie këndore. Kuqezinjtë morrën iniciativën, kishin posedimin e topit dhe diktonin lojën, duke arritur të sjellin barazimin. Taipi ndërpret një kundërsulm të kroatëve në minutën e 29-të, Alimi vazhdon për Selmanin, ndërsa i gjindshëm para portës shfaqet Emini që barazon shifrat në 1:1. Deri në fund të pjesës së parë ishin kuqezinjtë që dominonin në terren, megjithëse u kanosën edhe kroatët në dy raste që morrën përgjigje me intervenime të mira të portierit Zahov. Në fillim të pjesës së dytë nga një mundësi për të dyja palët. Fillimisht Zahov arrinë të përmirësojë një gabim në rinisje të lojës, ndërsa në minutën e 51-të Emini godet ashpër drejt portës kroate, por portieri kundërshtar me shumë mund ruan rrjetën e tij. Loja bëhej më interesante më mundësi në të dyja portat dhe tani rradhën e kishte Osijku që kanoset me anë të Kamenarit, mirëpo Zahov intervenon sigurtë duke ruajtur portën. Në anën tjetër Ibraimi lëviz bukur nga krahu i dajthtë, hedh nga loja mbrojtësin kundërshtar para se me një të majtë të fortë të shënojë për epërsi 2:1 të Shkëndijës. Menjëherë pas kësaj në minutën e 60-të trajneri Osmani bëri shtatë zëvendësime, ndërsa në terren topi vazhdoi të kontrollohet nga kuqezinjë, me kroatët që dinin të kanosen konkret nga rastet që krijonin. Gjithsesi në portë në dy raste me intervenime të shkëlqyeshme u dallua Bekim Rexhepi që pastroi dy goditje serioze drejt portës kuqezi.

Në anën tjetër në minutën e 75-të debutuesi në fanellën kuqezi, Orhan Imeri ndjek mirë një aksion dhe ndalet me faul në zonë nga Shimunec, duke fituar penalti. I saktë nga 11-të metra ishte Ibraimi që çoi shifrat në 3:1. Ky ishte rezultati përfundimtar i kësaj ndeshje kontrolluese, që sjell fitore për kuqezinjtë që barazuan 1:1 në testin e parë me Domzalen e Sllovenisë. Pas ndeshjes Shkëndija është kthyer në Rogashka Sllatina ku do të vijojë përgatitjet.

FOTOGALERIA  ⬅

SHKËNDIJA-OSIJEK 3:1 (1:1)
Ndeshje kontrolluese në Kumberg të Austrisë
Golashënues: Emini 29’, Ibraimi 56’ dhe 75’ pen. (Shkëndija), ndërsa Baraç 5’ (Osijek)
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai, Musliu, Adili, Murati, Alimi, Taipi, Emini, Radeski, Selmani, Ibraimi.
Luajtën edhe: Rexhepi, Todorovski, Shefiti, Zejnullai, Imeri, Wakili, Çesmexhiev, Totre, Luma, Aliti, Sadriu.
Trajner: Qatip Osmani
OSIJEK: Santini, Shkoriç, Baraç, Shorsha, Barishiç, Pushiç, Mioç, Lopa, Hajradinoviç, Boban, Henty.
Luajtën edhe: Shtrkalj, Llanos, Malenica, Simunec, Shutalo, Grgiç, Boçkaj, Zhaper, Mudrazhija, Kamenar, Spoljariç, Lon­çar, Mariç.
Trajner: Zoran Zekiç