
Kuqezinjtë në Shkup përballen me Rabotniçkin në ndeshjen e vlefshme për kualifikim në çerekfinale të Kupës së vendit.
NDESHJA
Rabotniçki vs Shkëndija
Kupa e Maqedonisë, 1/8 e finales
Stadiumi Kompleksi i FFM-së
E mërkurë, 25 tetor, ora 14:00
Mesjava sjell ndeshjet e 1/8 së finales së Kupës së Maqedonisë së Veriut, me kuqezinjtë që kanë transfertë në Shkup me Rabotniçkin. Faktikisht, me këtë ndeshje Shkëndija nis pjesëmarrjen e saj në edicionin e sivjetshëm të Kupës, pasi shkaku i mosparaqitjes së numrit të mjaftueshëm të skuadrave, shorti na çoi direkt në 1/8 e finales. Ashtu si vitet e shkuara edhe tani Kupa sjell ndeshje teke (nuk ka nga dy ndeshje vajtje/ardhje, por një duel vendos ekipin që kualifikohet), kështu që nevojitet koncentrim maksimal për të marrë kualifikimin e dëshiruar. Shkëndija nuk fsheh se ashtu si ne kampionat edhe në garën e Kupës kërkojmë trofeun, kështu që nesër në Shkup përballë Rabotniçkit kërkohet fitore dhe avansim në çerekfinale.
Rabotniçki në 1/8 e finales së Kupës erdhi pasi në 1/16 mundi 3:0 në transfertë Teteksin. Romantikët kanë skuadër cilësore, këtë vit kanë ndryshuar sponsor dhe me buxhet të rritur pretendojnë të kthehen të luajnë në Kupat e Evropës. Mirëpo në kampionat gjërat nuk ju kanë ecur si duhet, derisa ndeshjen e fundit u mundën 1:0 nga ekipi i fundit në renditje, Vardari. Këtë sezon në kampionat Shkëndija veçmë është përballur një herë me Rabotniçkin, kur në një përmbysje të çmendur me dy gola në minutat shtesë shënuam fitore 2:1.
Skuadra
Shkëndija në duelin e nesërm do të ketë në dispozicion gjithë futbollistët.
Transmetimi
Përballja Rabotniçki-Shkëndija zhvillohet të mërkurën në terrenin kryesor të kompleksit sportiv të FFM-së në Shkup me fillim në orën 14:00, ndërsa do të transmetohet drejtëpërsëdrejti në kanalin zyrtarë të klubit Shkëndija Channel në YouTube.
